Aktualitet

Pretendimet e rreme për presidencialet e 2020-ës, Fox do t’i paguajë Dominionit mbi 787 milion dollarë!

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gjykatësi i padisë së ngritur nga kompania “Dominion Voting Systems” kundër rrjetit “Fox News” për shpifje, njoftoi se palët arritën një marrëveshje për zgjidhjen e çështjes jashtë gjykatës. Gjykata njoftoi shpërbërjen e jurisë në momentin që ishte caktuar të fillonte procesi gjyqësor.

Njoftimi i një dite më parë shmangu një gjyq që pritej të zgjaste në kohë, lidhur me një çështje që nxori në pah se rrjeti televiziv shumë i ndjekur u përpoq të tërhiqte shikues duke përhapur pretendime të rreme për zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 dhe që u fituan nga demokrati Joe Biden, i cili mundi republikanin Donald Trump, duke i hequr mundësinë e një mandati të dytë në krye të Shtëpisë së Bardhë.

Njoftimi i papritur erdhi pasi juria ishte ulur në sallë dhe avokatët po përgatiteshin për hapjen e seancës gjyqësore. Një avokat i kompanisë Dominion tha se “Fox News” kishte rënë dakord që të paguante shumën prej 787.5 milion dollarësh. Marrëveshja e propozuar ende ka nevojë të marrë miratimin nga gjyqtari që mbikëqyr çështjen. Në një konferencë shtypi pas njoftimit, Justin Nelson deklaroi:

E vërteta ka rëndësi. Gënjeshtrat kanë pasoja!

Kompania “Dominion Voting Systems”, e cila prodhon pajisje elektronike për numërimin automatik të votave, ngriti një padi për shpifje kundër rrjetit televiziv “Fox News” në vitin 2021, duke kërkuar një dëmshpërblim prej 1.6 miliardë dollarësh. Dominion akuzoi televizionin “Fox News” se në mënyrë të rreme pretendoi se kompania e pajisjeve të votimit pati manipuluar zgjedhjet e vitit 2020.

Po ashtu, kompania e akuzoi rrjetin “Fox News” për dëmtim të reputacionit të saj, përmes transmetimit të pretendimeve të pabaza për pajisjet e votimit, pretendime që siç shprehet “e dinte se ishin të rreme”, duke thënë se pajisjet e votimit ndryshuan rezultatin e zgjedhjeve në favor të demokratit Joe Biden dhe shkaktuan humbjen e republikanit Donald Trump.