Sport

“Presionin e konsumojmë për mëngjes”, Ibrahimoviç: Durim me trajnerin e ri

Zlatan Ibrahimovic, në një intervistë për ESPN, preku shumë tema; duke nisur nga Milani i ri që po ndërtohet me trajnerin Paulo Fonseca, te eksperienca e tij si drejtor ndërsa nuk mungoi edhe një koment për lojtarë të përveçëm si Christian Pulisic.

Për Pulisic: “Unë mendoj se vitin e kaluar me ne ai pati sezonin më të mirë të karrierës së tij. Unë besoj se kur je i lumtur jashtë fushës, atëherë kjo reflektohet edhe në fushë. Ai pati një sezon të mrekullueshëm, shënoi shumë gola dhe dha shumë asistime. Pulisic u ndje i lirë, unë pres që ai të bëjë edhe më shumë këtë sezon dhe gjithashtu të rritet si lider. Ne jemi një ekip i ri dhe kemi nevojë për këta liderë për të udhëhequr ekipin.

Kalimi nga lojtar në trajner: “Është një ndryshim me të cilin përballesh ditë pas dite. Kam shumë për të mësuar. Unë kam përvojat e mia, por tani punoj nga një këndvështrim tjetër. Unë jam duke punuar me njerëz pozitivë, me më të mirët dhe ata më bëjnë të ndihem i lumtur. Ne jemi një ekip i mirë dhe jam i emocionuar. Më pëlqen përgjegjësia dhe presioni, më pëlqen presioni. Ne presionin e konsumojmë për mëngjes.

Cila është gjëja më e vështirë? Unë i njoh djemtë sepse kam luajtur me ta. Tani marr vendime që prekin edhe këta lojtarë, për të ardhmen e tyre. Nuk është e lehtë të punosh për ata dhe të marrësh vendime, shpesh të vështira dhe jo miqësore.

Rezultatet pozitive në miqësoret e verës? “Arritëm me një ekip të ri sepse shumë lojtarë ishin me pushime. Deri tani skuadra po ecën mirë. Kemi edhe një trajner të ri ndaj duhet kohë që identiteti i tij të asimilohet nga grupi.

Duhet të jemi të durueshëm, por tashmë nga dy ndeshjet që kemi luajtur këtu në Amerikë, mund të shohim se skuadra po përmirësohet, skuadra ka filluar të kuptojë idetë e trajnerit. Por është parasezon. Tani për tani gjithçka është në rregull”.

Djali në të ardhmen pjesë e Milan? “Si baba jam shumë krenar dhe i lumtur. Ai ka shumë punë për të bërë. Nuk është e lehtë për të të mbajë mbiemrin tim. Por, tani për tani ka pasur një mentalitet të fortë dhe kjo është gjëja më e rëndësishme.