Bota

Presioni amerikan, Izraeli rrit ndihmat për Gazën!

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu urdhëroi një rritje të konsiderueshme të dërgesave për popullatën e vuajtur palestineze në Rripin e Gazës, siç po raportojnë mediat në Izrael. Transmetuesi publik izraelit “Kan” informon se 250 kamionë në ditë do të çojnë mallra të natyrës humanitare në zonën bregdetare të Mesdheut, aty ku lufta po vazhdon prej më shumë se një viti tashmë.

Vendimi i Netanyahut duket se ishte një përgjigje ndaj kërcënimeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të shkurtuar dërgesat e armëve për Izraelin, nëse situata e popullatës civile palestineze në Rripin e Gazës nuk përmirësohet por vazhdon të njohë përkeqësim të mëtejshëm.

Sipas autoritetit izraelit që është dhe përgjegjës për çështjet palestineze, Koordinimi i Aktiviteteve Qeveritare në Territore (COGAT), 50 kamionë që transportonin ndihma hynë në Gaza të mërkurën dhe 30 të tjerë hynë dje. Situata konsiderohet veçanërisht e rëndë në pjesën veriore të zonës bregdetare.

Fondi i OKB-së për Fëmijët, UNICEF raporton se një në pesë fëmijë, tashmë vuan pasojat e shpërdorimit, forma më kërcënuese për jetën e kequshqyerjes. Sipas shifrave të OKB-së, rreth 500 kamionë në ditë dërgonin mallra dhe ndihma në Rripin e Gazës përpara fillimit të luftës, në tetor të vitit të kaluar.

Situata në Lindjen e Mesme me luftimet e Izraelit kundër Hamasit palestinez e Hezbollahut libanez, dy grupe që mbështeten nga Irani, sot është në fokus të bisedimeve Scholz-Erdogan. Kancelari gjerman po viziton Stambollin për një takim me presidentin turk Erdogan. Siç edhe dihet, Turqia ka marrëdhënie të ngushta me organizatën islamike palestineze Hamas dhe e quan Izraelin një “shtet terrorist”. Po ashtu, kritikon qeverinë gjermane për furnizimin e Izraelit me armë.

Në vitet e fundit, qeveria gjermane ka miratuar vetëm eksporte të kufizuara armësh në Turqi. Ankaraja pret sinjale pozitive nga Berlini në lidhje me kërkesën e Turqisë për të blerë 40 avionë “Eurofighter”. Gjermania është një bashkëprodhuese e avionëve.

Shteti gjerman rezulton partner kryesore tregtar për Turqinë dhe Ankaraja zyrtare ka nevojë për investime teksa është në mesin e krizës ekonomike në vend. Po ashtu, presidenti turk Erdogan ka kërkuar rifillimin e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian, si dhe liberalizimin e vizave për qytetarët turq.