Aktualitet

Presionet inflacioniste nga jashtë ranë përsëri në tremujorin e tretë!

Presionet e huaja inflacioniste në ekonominë shqiptare pësuan rënie të mëtejshme gjatë tremujorit të tretë të vitit. Sipas Bankës së Shqipërisë, Treguesi i Presioneve të Huaja Inflacioniste (TPHI) u rrit me 3.5% gjatë këtij tremujori, në rënie nga niveli prej 4.2% një tremujor më parë.

TPHI llogaritet si rritja vjetore e indeksit të çmimeve të huaja dhe Kursit Nominal Efektiv të Këmbimit për periudhën përkatëse. Nga analizat korrelative e treguesve përkatës, me vonesa kohore të ndryshme nga Banka e Shqipërisë, TPHI është një tregues paraprijës për zhvillimet e ardhshme afatshkurtra në komponentin e inflacionit të importuar, me 1 deri në 2 tremujorë. Ngadalësimi i TPHI erdhi i ndikuar kryesisht nga ngadalësimi i rritjes së çmimeve të huaja me 11.5% nga 17.6% në tremujorin e mëparshëm.

Nga ana tjetër, forcimi i vazhdueshëm i kursit nominal efektiv të këmbimit vazhdon të amortizojë përcjelljen e efekteve të çmimeve të huaja në inflacion. Për tremujorin e tretë të këtij viti, mbiçmimi nominal efektiv ishte 8%, por ky mbiçmim u reduktua krahasuar me nivelin prej 13.5% të tremujorit të mëparshëm.

Ecuria rënëse e TPHI-së këtë vit po reflektohet në pakësimin e ndjeshëm të kontributit të inflacionit të importuar në formimin e inflacionit total përgjatë tremujorit të tretë të vitit. Kontributi në formimin e inflacionit total rezultoi vetëm 0.3 pikë përqindje.

Dobësimi i presioneve të huaja inflacioniste vlerësohet si faktori kryesor që ka sjellë rënien e ndjeshme të inflacionit në pjesën e parë të këtij viti. Sipas INSTAT-it, muajin e kaluar inflacioni qëndroi për të dytin muaj radhazi në 1.9%, niveli më i ulët në tre vitet e fundit.

Ecuria e treguesit të presioneve të huaja inflacioniste dhe efektet e pritshme të tij mbi inflacionin në afatshkurtër duket se ishin ndër faktorët që shtynë Bankën e Shqipërisë të ulte përsëri normën bazë të interesit këtë muaj, nga 3% në 2.75%.

Sipas Bankës Qendrore, rënia e shpejtë e inflacionit gjatë vitit 2024, në masën më të madhe, pasqyroi rënien e inflacionit të importuar. Paralelisht me të, edhe inflacioni i gjeneruar nga zhvillimet e brendshme ekonomike ka ardhur në rënie, por kjo rënie ka qenë më e ngadaltë dhe presionet e brendshme inflacioniste ndodhen pranë mesatareve të tyre afatgjata.

Sipas Bankës së Shqipërisë, presionet e brendshme inflacioniste pasqyrojnë fazën pozitive të ciklit të biznesit në të cilën ndodhet ekonomia shqiptare. Këto presione vijojnë të ushqehen nga rritja e shpejtë e pagave dhe e kostove të punës, zhvillim i cili ushtron ndikim të kahut rritës mbi çmimet finale të konsumit, si dhe nga kërkesa relativisht e lartë për mallra e shërbime, kërkesë e cila mbështet marzhet e fitimit të biznesit.

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë parashikon që inflacioni të arrijë pranë objektivit prej 3% vitin e ardhshëm ndërsa vlerësoi ulja e mëtejshme e normës bazë do të krijojë kushte monetare më të përshtatshme për të kontrolluar ndikimin që goditjet afatshkurtra të ofertës mund të kenë mbi inflacionin në të ardhmen.