Bota

Presidentja e Gjeorgjisë nuk njeh rezultatin zgjedhor, thirrje për protesta!

Presidentja pro-perëndimore e Gjeorgjisë, Salome Zurabishvili, nuk e njeh rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të dy ditëve më parë që rikonfirmoi fitoren e partisë pro-ruse në pushtet Endrra Europiane. Zurabishvili shprehu bindjen se shteti ka qenë viktimë e një “operacioni special rus”. Presidentja apeloi të nisin protestat, nga sot, ora 19:00.

Si institucioni i vetëm i pavarur që ka mbetur në këtë shtet, dua të them se nuk i njoh këto zgjedhje. Nuk duhet të njihen. Do të ishte njësoj sikurse të pranohej hyrja e Rusisë këtu. Nuk kam ardhur në Gjeorgji për dominim rus. Paraardhësit tanë nuk kanë jetuar për këtë. Nuk do ta tolerojmë. E ardhmja europiane nuk mund t’i merret Gjeorgjisë.

Ëndrra Gjeorgjiane e festoi atë që e konsideroi “fitore në zgjedhje” por opozita pro-perëndimore, si dhe vëzhguesit e votimeve konstatuan se janë kryer shkelje të mëdha, përfshirë frikësimin e votuesve dhe dhunën fizike. Vëzhguesit perëndimorë kanë kërkuar hetime lidhur me parregullsitë e përmendura.

Pas numërimit të më shumë se 99.6% të votave, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve deklaroi se Ëndrra Gjeorgjiane ka fituar 54.8%. Opozita ka paraqitur shifra të tjera për partinë në pushtet, të udhëhequr nga miliarderi Bidzina Ivanishvili. Pothuajse të gjitha partitë opozitare refuzuan të pranojnë rezultatin zgjedhor. Ky proces është konsideruar “test i rëndësishëm” për Gjeorgjinë, shtet kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Brukseli zyrtar deklaroi se rezultati i këtyre zgjedhjeve mund të përcaktojë mundësitë e Gjeorgjisë për t’iu bashkuar bllokut europian. Ndërkohë, kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, aleat i Endrrës Gjeorgjiane sot pritet të vizitojë Tbilisin. Orban do të mbajë një konferencë për media me kryeministrin gjeorgjian, Irakli Kobakhidze, pas takimeve.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, u shpreh:

Ndonëse vëzhguesit ndërkombëtarë dhe vendas ranë dakord me pjesën që dita e zgjedhjeve u administrua mirë, ne kemi vërejtur raportime për parregullsi dhe dhunë sporadike. Vëzhguesit ndërkombëtarë nuk kanë deklaruar se rezultati është i lirë apo i drejtë. Ne i dënojmë të gjitha shkeljet e normave ndërkombëtare dhe u bashkohemi thirrjeve të vëzhguesve ndërkombëtare e lokalë për hetim të plotë të të gjitha raportimeve për shkelje të lidhura me procesin zgjedhor.

Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, deklaroi se parregullsitë e dyshuara në procesin zgjedhor “duhet të adresohen me seriozitet”.