Bota

Presidenti Zelensky gjithnjë e më mosbesues për fjalët e Moskës!

Edhe pas lajmit se Moska pranoi armëpushim në Mariupol, presidenti ukrainas, Zelensky nuk pranon kompromise, ndërsa mbetet mosbesues për veprimet ruse.

Ka një grumbullim të trupave ruse për sulme të reja në Donbas dhe ne po përgatitemi për këtë. Ne nuk i besojmë askujt, nuk ka arsye për t’iu besuar deklaratave të Rusisë, pasi forcat ruse kanë vazhduar të sulmojnë Kievin dhe Çernihivin, një ditë pasi premtuan se do të zvogëlojnë aktivitetin ushtarak përreth këtyre qyteteve. Ne nuk do të heqim dorë nga asgjë e do të luftojmë për çdo metër të tokës sonë, për çdo person.

Ndërkohë, Pentagoni sinjalizon zhvendosjen e trupave nga zona e Çernobilit ku ndodhet centrali bërthamor, për në Bjellorusi. Por, kjo nuk vlen për Donbasin, nisur nga pohimet e Zelensky-t. Shpresat për një marrëveshje sa vijnë e shuhen edhe pse nesër pritet të rinisin bisedimet Moskë-Kiev.

Analistët ushtarakë janë të mendimit se Putin kishte mbivlerësuar aftësitë e ushtrisë së tij, duke pritur fitore të shpejtë, por në terren, realiteti duket ndryshe. Aty janë parë ushtarë rusë, pa armë dhe me moral të rënë që kanë refuzuar të zbatojnë urdhrat e shumë prej tyre braktisën mjetet ushtarake. Gjithashtu, Putin nënvlerësoi rezistencën e popullit ukrainas e forcën e Perëndimit, referuar pasojave ekonomike të sanksioneve.

Presidenti ukrainas Zelensky tha se falenderoi Shtetet e Bashkuara për paketën e re të ndihmave humanitare në një miliard e gjysmë dollarë. Zelensky e veçon si pikë kthese. Ai bëri të ditur se në një bisedë telefonike i tha homologut Biden se për çfarë ka nevojë Ukraina dhe se u tregua shumë i sinqertë në këtë drejtim, duke vënë në dukje se mbështetja amerikane është jetësore për vendin.

Ukraina, vend prodhues dhe eksportues global i drithërave ka rezerva prej 13 milion tonë misër dhe 3.8 milion tonë grurë. Shifrat i jep zv.ministri i Bujqësisë, Taras Vysotskiy.

Ukraina nuk mund të eksportojë grurë, pasi portet detare janë bllokuar për shkak të pushtimit rus.

Më shumë se 90% e eksporteve të grurit bëhet përmes porteve të Ukrainës në Detin e Zi.