Aktualitet Bota Politikë

Presidenti turk dënon Izraelin dhe OKB-në për ‘barbarizmin’ në Gaza

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan dënoi sot mosveprimin e OKB ndaj situatës në Gaza, dhe akuzoi Izraelin se po e kthente territorin palestinez “në varrezën më të madhe në botë të grave e fëmijëve”.

Ai mbështeti gjithashtu Libanin ndaj të cilit Izraeli ka nisur sulmet ajrore dhe të artilerisë kundër grupit Hezbollah, ndërsa dënoi qeverinë e Benjamin Netanyahu për përfshirjen e të gjithë rajonit në luftë.

“E vërteta është se vlerat që Perëndimi pretendon të mbrojë janë duke vdekur… Unë po i pyes organizatat e shumta humanitare: A nuk janë qenie njerëzore ata në Gaza e Bregun Perëndimor?”

Erdogan kritikoi Këshillin e Sigurimit të OKB si të paaftë për të urdhëruar ndalimin e luftimeve duke argumentuar se “bota është më e madhe se pesë,” duke iu referuar pesë anëtarëve të përhershëm të KS, ku përfshihet aleati kryesor i Izraelit, SHBA.

“Çfarë pret Këshilli i Sigurimit për të ndaluar gjenocidin në Gaza, për të ndaluar këtë mizori, këtë barbarizëm?” pyeti Erdogan.

Ai më tej nxiti komunitetin ndërkombëtar të ndalonte “Netanyahun dhe rrjetin e tij të vrasjeve,” duke e krahasuar me liderin nazist Adolf Hitler.

“Ashtu si Hitleri që u ndalua nga aleanca e njerëzimit 70 vjet më parë, Netanyahu dhe rrjeti i tij i vrasjeve duhet ndaluar nga një aleancë njerëzore,’” tha ai.

Për fushatën e fundit të Izraelit në Liban, lideri turk tha: “Çfarë prisni më shumë për të ndaluar këtë rrejt masakre që po fut të gjithë rajonin në luftë për hir të mundësive politike?”.

Top Channel