Rajoni

Presidenti serb Vuçiç pret hapjen e urës mbi Ibër mesjavën e ardhshme!

Presidenti serb, Aleksander Vuçiç tha se pret hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër në Kosovë, më 14 ose 15 gusht, si dhe instalimin e liderëve të rinj serbë në këtë vend nga agjencitë e huaja. Por, ai nuk ofroi ndonjë provë konkrete a dëshmi lidhur me këto pretendime.

Këto deklarata vijnë në kohën kur autoritetet e Kosovës kanë paralajmëruar se ura kryesore mbi Ibër, që ndan Mitrovicën e Jugut me shumicë shqiptare nga e Veriut ku banojnë serbë do të hapet plotësisht për qarkullimin e mjeteve.

Aktualisht është e hapur për këmbësorët, por jo për makina. Në të patrullojnë forcat italiane të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Vuçiç i ka bërë thirrje KFOR-it që të mos lejojë hapjen e urës.

Presidenti serb pretendon se figurat e reja serbe që sipas tij do të instalohen në Kosovë, pritet “t’i portretizojnë si trima edhe pse nuk janë e do të përpiqen t’i ndajnë nga Beogradi”. Vuçiç i sheh si njerëz që do t’i përgjigjen kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Më lejoni t’ju them menjëherë se nuk do të funksionojë!

Partia më e madhe e serbëve në Kosovë është Lista Serbe, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar. Ndërkaq, përfaqësuesit e vendeve të QUINT-it në Kosovë, kanë thënë publikisht se nuk mbështesin hapjen e urës në këtë kohë. Vendet e QUINT-it kanë në përbërje Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretërinë e Bashkuara, Italinë, Gjermaninë, si dhe Francën.

Edhe Bashkimi Europian ka reaguar duke shtuar se Prishtina zyrtare nuk duhet të marrë “vendime të njëanshme”. Sa i përket KFOR-it, disa herë në ditët e fundit ka thënë se nuk do të hezitojë të veprojë nëse në afërsi të urës konstaton veprime që mund të cënojnë sigurinë e qytetarëve në Kosovë.

Autoritetet e Kosovës kanë nisur të bëjnë inspektime për hapjen e urës dhe më herët gjatë javës kontraktuan një kompani për të vlerësuar fuqinë mbajtëse të saj, para hapjes për qarkullim të automjeteve.

Lidhur me hapjen e urës, fillimisht, Kosova dhe Serbia ranë dakord më 2015-ën e më vonë më 2016-ën, në kuadër të dialogut që ndërmjetëson Bashkimi Europian. Hapja e saj është zvarritur disa herë dhe faktori ndërkombëtar kërkon që kjo çështje, sërish të jetë temë dialogu.