Presidenti serb, Aleksander Vuçiç, tha sot se “blerja e sistemit raketor anti-ajror të Kinës FK-3 është legjitime, plotësisht e rregullt dhe transparente”. Në këtë mënyrë, për herë të parë konfirmoi se më 9 prill, avionët transportues kinezë i dorëzuan Serbisë pjesë të sistemit të mbrojtjes tokë-ajër FK-3.
Dorëzimi për të cilin Serbia ra dakord me Kinën në vitin 2019, ndodhi në kohën e pushtimit rus në Ukrainë dhe shqetësimeve të vendeve europiane se armët shtesë në Ballkanin Perëndimor mund të kërcënojnë paqen dhe stabilitetin në rajon, gjatë luftës.
Gjatë një video-mesazhi, Vuçiç akuzoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin malazez, Milo Gjukanoviç për “përhapje të urrejtjes ndaj serbëve e Serbisë”. Kjo pasi ata kritikuan blerjen e armëve nga Kina.
Gjukanoviç dhe Kurti e përdorën blerjen e armëve për t’i thënë botës se Serbia është mike e kinezëve e rusëve dhe kërcënon ndonëse gjendet në një mjedis të NATO-s.
Ata nuk dinë të thonë si i rrezikojmë me armë mbrojtëse, sepse është një sistem që shërben për t’u mbrojtur nga raketat dhe avionët që do të cënonin hapësirën ajrore të Serbisë. Si po e rrezikojmë Prishtinën dhe Podgoricën? Çfarë forcash ajrore kanë ata? Më mirë po të kishim blerë spraj kundër insekteve!
Serbia si vend neutral ushtarak është e vetme në rajonin e gjerë. Në cirk, ju keni parë luanë, elefantë, tigra, por nuk e keni parë kurrë një ujk të vetmuar. Unë më me dëshirë do të isha gjithmonë një ujk i vetmuar se një hienë e paturpshme dhe e pamoralshme… Eshtë edhe më keq të jesh mizë që sillet rreth hienës e pret t’i sillet një pre, siç janë Kurti e Gjukanoviç!
Një ditë më parë, Albin Kurti, deklaroi se “Qeveria është e shqetësuar që Serbia ka blerë armë nga Kina, por jo e frikësuar”. Edhe presidenti malazez, Milo Gjukovanoviç shprehu shqetësim për prokurimin e armëve kineze në Serbi. Shqetësimin nuk e kanë fshehur as Brukseli e Uashingtoni.