Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda i ka kërkuar kancelarit gjerman, Olaf Scholz dhe presidentit francez, Emmanuel Macron që të vizitojnë qytetet ukrainase të Buças e Irpinit, me shpresën se do të ndryshojnë qëndrimin. Përveçse janë shkatërruar masivisht, para se rusët të tërhiqeshin nga rrethinat e Kievit, për ta përqenduar ofensivën në lindje, aty u kryen edhe masakra nga më të rëndat. Mbarë bota u trondit nga pamjet e qytetarëve të gjetur të pajetë në rrugë, me duar të lidhura. Moska i mohoi akuzat se qëndronte pas barbarive dhe hodhi akuza për inskenime.
Si Macron, ashtu edhe Scholz janë kritikuar se nuk kanë miratuar, sipas disave, “një qasje mjaft të fortë ndaj Rusisë për luftën e saj kundër Ukrainës”. Duke folur në radion publike, zëvendësministri i Jashtëm, Marcin Przydacz iu referua vizitave të planifikuara në Kiev këtë javë nga kryeministri italian, Mario Draghi si dhe homologu gjerman Scholz e shefi i Elizesë, Macron.
Przydacz tërhoqi vëmendjen për faktin se Andrzej Duda, presidenti polak, i ka kërkuar vazhdimisht Scholz-it e Macron-it, të vizitojnë Buchan dhe Irpinin, pasi ndoshta do të ndryshojë pikëpamjet që kanë. Przydacz kujtoi edhe vizitat në Kiev të presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen dhe kreut të diplomacisë së Bashkimit Europian, Josep Borrell. Ai tha se “në fillim të luftës, deklaratat e tyre nuk ishin të qarta, por pas ndalesave në Ukrainë, e kuptuan se çfarë ishte”.
Amnesty International akuzoi Rusinë për krime lufte në Ukrainë, duke veçuar sulmet në Kharkiv, shumë prej tyre me bomba thërrmuese të ndaluara dhe që vranë qindra civilë. “Bombardimet e përsëritura të lagjeve të banuara në Kharkiv janë sulme pa dallim që vranë e plagosën qindra civilë dhe si të tilla paraqesin krime lufte”, tha grupi për të drejtat e njeriut në një raport për qytetin e dytë më të madh të Ukrainës. Kjo vlen edhe për sulmet me raketa e predha artilerie të pa komanduara.