Bota

Presidenti izraelit Herzog thirrje botës për mbështetje në luftën kundër armiqve!

Presidenti izraelit, Isaac Herzog i bëri thirrje botës të mbështesë Izraelin në luftën kundër armiqve të tij, gjatë një fjalimi në ceremoninë e përkujtimit të viktimave të sulmit terrorist të Hamasit më 7 tetor.

Kjo është një mbresë mbi njerëzimin. Kjo është një mbresë në faqen e Tokës, tha kryetari i shtetit duke folur në vendin e festivalit muzikor Nova 2023, pranë kufirit të Gazës.

Terroristët nga grupi islamik palestinez Hamas dhe grupe të tjera ekstremiste sulmuan përtej kufirit saktësisht një vit më parë, duke vrarë më shumë se 1200 njerëz dhe duke marrë peng rreth 250 njerëz të tjerë  në komunitetet izraelite jugore dhe në festival.

Bota duhet të kuptojë se për të ndryshuar rrjedhën e historisë dhe për të sjellë paqe, një të ardhme më të mirë në rajon, ajo duhet të mbështesë Izraelin në betejën e tij kundër armiqve të tij. Ne po luftojmë betejën e botës së lirë.

Sulmi provokoi bombardimet izraelite dhe pushtimin e Rripit të Gazës. Tensionet që atëherë janë rritur dhe e kanë sjellë rajonin e Lindjes së Mesme në prag të një konflikti më të gjerë. Forcat e sigurisë janë në gatishmëri të lartë në gjithë Izraelin siç njoftuan ushtria dhe policia, duke parashikuar sulme të mundshme palestineze të planifikuara për 1-vjetorin e 7 tetorit 2023 kur filloi përgjakja më e rëndë në konfliktin dekada të vjetër izraelito-palestinez.

Për shtetin hebraik, sulmi i befasishëm nga grupi militant palestinez, gjithashtu një aleat i Iranit, ishte një nga dështimet më të mëdha të sigurisë për një vend që krenohet me një ushtri të fortë e të sofistikuar. Sulmi i Hamasit ndaj komuniteteve izraelite përtej kufirit të Gazës dhe më pas, fushata e pamëshirshme e Izraelit e kanë destabilizuar Lindjen e Mesme, ndërsa shkalla e vrasjeve dhe shkatërrimeve ka tmerruar njerëzit në mbarë botën.

Izraeli ka goditur rëndë Hamasin e Hezbollahun duke iu vrarë një numër të madh të liderëve e komandantëve të tyre, pjesë e “Boshtit të Rezistencës” të Iranit e që përfshin gjithashtu Houthit e Jemenit dhe grupe të armatosura në Irak që luftojnë kundër interesave të Izraelit e SHBA-ve në Lindjen e Mesme.

Fokusi i luftës është zhvendosur gjithnjë e më shumë në veri të Libanit, ku forcat izraelite kanë shkëmbyer zjarr me Hezbollahun që kur grupi i mbështetur nga Irani nisi një breshëri raketash drejt Izraelit në mbështetje të Hamasit, më 8 tetor 2023.

Ato që filluan si shkëmbime të kufizuara të përditshme zjarri, janë përshkallëzuar në bombardime të fortifikatës së Hezbollahut në Bejrut e një ofensivë tokësore në fshatrat kufitare, me qëllim çrrënjosjen e luftëtarëve të tij dhe kthimin e mijëra izraelitëve të evakuuar nga shtëpitë e tyre në veri të vendit.