Bota

Presidenti iranian, Raisi në Pakistan/Përpjekje për rregullimin e marrëdhënieve!

Presidenti i Iranit, Ebrahim Raisi mbërriti në Islamabad e ku për tre ditë synon që të bisedojë disa çështje me autoritetet e Pakistanit. Vizita e tij është pjesë e përpjekjeve nga Islamabadi e Teherani për të rregulluar marrëdhëniet, pas mosmarrëveshjeve të fillimvitit. Në muajin janar, dy vendet kryen sulme hakmarrëse ndaj objektivave të militantëve, të akuzuar për goditjen e forcave të sigurisë.

Në aeroportin e Islamabadit, Raisi u prit nga zyrtarë pakistanezë. Gjatë qëndrimit në Islamabad, ai do të takohet me homologun pakistanez, Asil Ali Zardari, si dhe me kryeministrin Shehbaz Sharif. Në një njoftim të Islamabadir zyrtar, thuhet:

Ministria e Jashtme e Pakistanit informon se të dyja palët do të bisedojnë për një sërë çështjesh për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe e për ta zgjeruar bashkëpunimin në fusha të ndryshme si në tregti, energji e në bujqësi. Pakistani dhe Irani do të bisedojnë edhe për zhvillimet rajonale e ato botërore.

Vizita e Raisit vjen pak kohë pasi Irani sulmoi Izraelin, duke u hakmarrë për një sulm izraelit në Siri më 1 prill, në të cilin u vranë dy gjeneralë iranianë në selinë e konsullatës iraniane në kryeqytetin sirian, Damask.

Pakistani është në mesin e vendeve që nuk kanë marrëdhënie diplomatike me Izraelin dhe kjo për shkak të çështjes së shtetësisë palestineze.

Pse Irani kreu sulme në Pakistan, Irak dhe Siri në janar 2024?

Sulmet e Iranit në Irak, Siri dhe Pakistan ishin në përgjigje të atyre të kryera në tokën e tij apo kundër objektivave iraniane. Teherani lëshoi raketa kundër militantëve të Shtetit Islamik (IS) në Siri, në përgjigje të bombardimit që vrau dhjetëra njerëz gjatë një ceremonie përkujtimore të komandantit të vrarë, Qassem Soleimani, në Iranin qendror më 3 janar 2024.  Soleimani ishte arkitekti kryesor i rrjetit të bashkëpunëtorëve paraushtarak të Iranit në botën arabe. Ai u vra gjatë një sulmi me dronë të kryer nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës më 2020-ën kur në krye të Shtëpisë së Bardhë ishte Donald Trump.

Sulmet iraniane në Irak shënjestruan ato që Irani tha se ishin lokacione të spiunëve izraelitë, akuzë që Iraku e mohoi. Izraeli ka vrarë anëtarë të rëndësishëm të aleatit libanez të Iranit, Hezbollah e të vetë forcës elite të Teheranit, Gardës Revolucionare, në Liban dhe Siri.

Media shtetërore iraniane pati njoftuar në janar se në Pakistan, Irani shkatërroi dy baza të militantëve baluçë, Jaish al Adl, grup me bazë në shtetin pakistanez e që ka marrë përgjegjësinë për një sulm dhjetorin e kaluar kur u vranë forca iraniane të sigurisë. Si kundërpërgjigje, Pakistani kreu sulme ndaj militantëve separatistë brenda Iranit, po në muajin e parë të këtij viti.