Bota

Presidenti i Azerbaixhanit zotohet ‘të ndihmojë territoret e jashtme franceze për të fituar pavarësinë’ !

Presidenti azer Ilham Aliyev është zotuar në fundjavë të ndihmojë territoret e jashtme të Francës për të siguruar pavarësinë, në një tjetër deklaratë konfrontuese të vendit ish-sovjetik me Parisin, për konfliktet e vjetra në Kaukaz.

Aliyev ka akuzuar Francën për kontaktet e saj me Armeninë, vendi fqinjë me të cilin ka luftuar vazhdimisht për rajonin e konfliktit  Nagorno-Karabak, deri në marrjen e plotë të kontrollit nga Baku.

Muajt e fundit liderët azerë kanë përmendur disa herë trazirat në ishullin francez të paqësorit Kaledonia e Re, ku popullsia vendase prej disa javësh është ngritur në protesta, pas një ligji elektoral që dëmton interesat e banorëve indigjenë Kanak, në favor të të ardhurve të rinj.

Aliyev bëri komentet e tij disa ditë para hapjes së Lojrave Olimpike të Parisit në një konferencë në Baku me grupe pro-pavarësi nga Kaledonia e Re dhe territore të tjera të jashtme franceze.

“Ne do t’ju mbështesim derisa të jeni të lirë,” kishte thënë Aliyev në forum, duke shtuar se këto territore ishin sipas tij “ende nën kolonializëm”.

“Disa vende e vuajnë ende këtë. Ishujt Comoros, Mayotte janë ende në regjim kolonial, dhe është detyra jonë të ndihmojnë këto vende nga mbetjet e të shkuarës”.

Në eventin e çuditshëm në Baku merrnin pjesë grupe pro-pavarësi nga disa territore franceze si Korsika, ishujt të Karaibeve dhe të Paqësorit.

Mediat franceze kanë akuzuar Azerbaixhanin për ndërhyrje në punët e brendshme dhe nxitje të trazirave në Kaledonia, sipas tyre duke mbushur rrjetet sociale me dezinfromacione dhe imazhe keqinterpretuese në dëm të policisë franceze.

Në fillim të vitit Azerbaixhani dëboi dy diplomatë francezë.