Presidenti polak Andrzej Duda është kritikuar nga kolegët e tij polakë për krahasimin e vdekjes së presidentit iranian Ebrahim Raisi, në një aksident me helikopter, me vdekjen e presidentit polak Lech Kaczynski në një aksident ajror, 14 vite më parë.
Duke shprehur ngushëllimet e tij për popullin iranian, Duda tha në një postim në shërbimin e mesazheve X se pak vende kishin faqe tragjike si kjo në librat e tyre të historisë.
”Por, ne polakët, të cilët u prekëm nga rrëzimi i avionit të qeverisë polake në Smolensk të Rusisë në vitin 2010, e dimë ndjenjën e tronditjes dhe zbrazëtinë që mbetet në zemrat e njerëzve dhe në shtet pas humbjes së papritur të politikës dhe elita sociale, pas humbjes së papritur të njerëzve dhe miqve të dashur”, tha Duda.
Të 96 pasagjerët në bordin e aeroplanit të qeverisë polake që u rrëzua teksa po zbriste më 10 prill 2010, u vranë.
Ata ishin nisur për në një shërbim përkujtimor për viktimat e masakrës së Katinit.
Masakra është e njohur për vrasjen e mijëra oficerëve polakë dhe anëtarëve të tjerë të elitës polake nga policia sekrete e Bashkimit Sovjetik, NKVD në vitin 1940.
Shumë polakë thanë se ishin ofenduar nga mënyra se si Duda e krahasoi presidentin e ndjerë polak me Raisin, i cili dyshohet se ka qenë përgjegjës për ekzekutimin e mijëra disidentëve politikë iranianë në vitin 1988.
“Duda po mban zi për një kriminel dhe aleat të Putinit”, postoi njëri prej tyre në rrjetet sociale krahas një fotografie që tregon disidentët iranianë duke u varur me vinç.
Bartosz Wielinski, kryeredaktor i gazetës ”Gazeta Wyborcza”, tha se ai e kuptonte që Duda si president polak duhej të shprehte ngushëllimet e tij.
”Por, referenca me Smolenskun ishte thellësisht e papërshtatshme”, shtoi ai.