Bota

Presidenti Biden sot mban fjalimin në Asamblenë e OKB-së/Fokusi Ukraina, siguria ushqimore!

Presidenti Joe Biden sot i drejtohet Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, ku do të nënvizojë përpjekjet amerikane për të forcuar sigurinë globale të ushqimit, rifuqizuar Fondin Global për të luftuar SIDA-n e pandemitë e tjera, si dhe për të trajtuar çështjet e zinxhirit të furnizimit e krizën klimatike. Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Jake Sullivan, tha se Biden do të theksojë agresionin e Rusisë në Ukrainë.

Ai do të bëjë kritikë të fortë për luftën e padrejtë të Rusisë në Ukrainë dhe do t’i bëjë thirrje botës që të vazhdojë të qëndrojë e bashkuar kundër agresionit të hapur që kemi parë këto muajt e fundit.

Biden do të nënvizojë rëndësinë e forcimit të Kombeve të Bashkuara dhe do të riafirmojë parimet thelbësore të kartës së saj në një kohë kur një anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit ka shkelur thelbin e Kartës, duke sfiduar parimin e integritetit territorial e sovranitetit.

Analistët thonë se Biden do të kërkojë të balancojë interesat e SHBA-ve dhe aleatëve europianë për të mbështetur Ukrainën e për të izoluar Rusinë, me problemet e panumërta me të cilat përballet pjesa tjetër e botës. Për Zërin e Amerikës, Richard Gowan, drejtor i OKB-së në Grupin Ndërkombëtar të Krizave, deklaroi:

SHBA-të dhe aleatët e tyre do të përpiqen të bindin vendet joperëndimore se ndërsa ka një përqendrim shumë të fuqishëm në luftën e Rusisë kundër Ukrainës, gjithashtu Perëndimi kujdeset për krizën globale të ushqimit që po shkakton një recesion global dhe se çfarë do t’i sjellë kjo botës në zhvillim.

Tani, SHBA-të dhe europianët po përpiqen me të vërtetë të dërgojnë mesazhin se janë të ndjeshëm ndaj shqetësimeve ekonomike të botës në zhvillim e se do të punojnë për të zgjidhur këto shqetësime.

Siguria e ushqimit dhe shëndetit

Që nga sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës, eksportet e ushqimit dhe plehrave kimike nga rajoni janë ndërprerë, duke i rritur edhe më shumë çmimet e ushqimeve pas pandemisë. Sipas Programit Botëror të Ushqimit, rreth 828 milion njerëz shkojnë në shtrat të uritur çdo natë.

Po sot, presidenti Biden do të drejtojë një konferencë mbi Fondin Global për Luftën kundër SIDA-s, Tuberkulozit e Malaries. SHBA-të kanë dhënë 2 nga 6 miliardë dollarët e premtuar, për të përmbushur 18 miliardë dollarët e nevojshëm në nivel global.
Reforma në Këshillin e Sigurimit

SHBA-të do të kërkojnë të shtyjnë përpjekjet për të reformuar Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KSOKB), duke përfshirë “krijimin e konsensusit rreth propozimeve të ndjeshme e të besueshme për të zgjeruar anëtarësimin në Këshillin e Sigurimit.

KS i OKB-së përbëhet nga pesë anëtarë të përhershëm me të drejtë vetoje: Kina, Franca, Rusia, SHBA-të e Britania e Madhe dhe 10 anëtarë jo të përhershëm të zgjedhur nga OKB-ja. Analistët thonë se perspektivat e reformës së OKB-së janë të zbehta.