Bota

Presidenti Biden me COVID, por me simptoma të lehta!

Presidenti amerikan Joe Biden u diagnostikua me COVID-19 ndërsa ndodhej në një udhëtim në Las Vegas për të bërë fushatë një ditë dhe po përjeton simptoma të lehta, siç njoftoi Shtëpia e Bardhë. Zëdhënësja Karine Jean-Pierre njoftoi diagnozën e demokratit 81-vjeçar pasi presidenti i “UnidosUS”, një organizatë latine për të drejtat civile, tha se Biden nuk do të ishte në gjendje të fliste në një veprimtari të planifikuar për shkak të infektimit me COVID-19.

Në vend të fjalimit para votuesve hispanikë, presidenti Biden shkoi në Delauer, kur kishte planifikuar të kalonte fundjavën.

Ai është i vaksinuar dhe po përjeton simptoma të buta, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karine Jean-Pierre.

Diagnoza e presidentit Biden përkon me Kuvendin Kombëtar të Partisë Republikane dhe thirrjet e demokratëve për largimin e tij nga gara për president. Thirrjeve të 19 ligjvënësve demokratë për tërheqje të Biden-it nga gara për president iu shtua sot edhe ligjvënësi nga Kalifornia, Adam Shiff, i cili po kandidon për Senatin Amerikan.

Shqetësimet e demokratëve mbi aftësitë e presidentit aktual 81 vjeçar për ta mposhtur rivalin republikan, apo nëse është në gjendje që të udhëheqë vendin për një mandat të dytë, u shtuan pas paraqitjes së dobët të Biden-it në debatin e parë presidencial, të 27 qershorit.

Ish-presidenti Trump ndodhet aktualisht në Milluoki, ku po mbahet Kuvendi Kombëtar i Partisë Republikane, disa ditë pasi ai i shpëtoi një atentati me armë, gjatë një tubimi elektoral në Pensilvani.

Në fjalimin e tij në Kuvendin Kombëtar të Partisë Republikane, kandidati i republikanëve amerikanë për zv.president, senatori J.D. Vance,  foli mbi fëmijërinë në qytetin industrial Midëlltaun të Ohajos, si dhe përpjekjet për të mbështetur klasën punëtore.

Në Milluoki, 39-vjeçari kritikoi politikat e presidentit Joe Biden dhe Partisë Demokrate duke thënë se vërshimi i produkteve kineze me çmime të ulëta po dëmton fuqinë punëtore dhe klasën e mesme të Ohajos e Miçiganit, Uiskonsit e Pensilvanisë. Këto janë shtete të rëndësishme për zgjedhjet presidenciale.

Ai shtoi se “Shtetet e Bashkuara kanë nevojë për udhëheqës që mbështesin kompanitë amerikane, si ish-presidenti Donald Trump”. Senatori Vance e falënderoi Trump-in, i cili ishte i pranishëm në sallën, ku po mbahet Kuvendi Kombëtar i Partisë Republikane, që e emëroi atë kandidat të tij për zv.president, duke premtuar do të punojë për avancuar axhendën e Trump-it, për ta bërë Amerikën, sërish madhështore.