“Një mëkat që njollosi shpirtin tonë”. Këto fjalë ishin thelbi i asaj që po quhet “ndjesa historike” e që presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden i paraqiti popullit autokton amerikan që ka vuajtur shumë. Fëmijët e autoktonëve u shkëputën nga familjet e tyre për më shumë se një shekull nga shteti, për t’i vendosur në shkolla me konvikte, ku ata u keqtrajtuan me synimin e asimilimit të detyruar.
Qëllimi i këtyre shkollave me konvikt ishte të fshinin kulturën, gjuhën dhe identitetin vendas të Amerikës. Shumë fëmijë pësuan dhunë fizike, psikologjike ose edhe seksuale atje, sipas përfundimeve të një raporti të fundit të qeverisë.
Kërkoj ndjesë zyrtarisht, si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për atë që kemi bërë, tha Joe Biden nga rezervati amerikan i lumit Gila, në Arizona, pasi mbajti një minutë heshtje, pikërisht për të nderuar njerëzit e humbur, si dhe brezat që jetojnë me këtë traumë.
Këto shkolla me konvikt kanë ekzistuar nga fillimi i shekullit XIX deri në vitet 1970, po sipas raportit të qeverisë amerikane. Të paktën 973 fëmijë kanë gjetur vdekjen në strukturat ku dhe u keqtrajtuan.
Fëmijët erdhën në shkollë… u zëvendësuan me një numër ose një emër anglez, vuri në dukje shefi i Shtëpisë së Bardhë.
Disa u detyruan me punë të detyruar, disa u birësuan pa pëlqimin e prindërve të tyre biologjikë, të tjerët u lanë për të vdekur dhe u varrosën në varre të pashenjuara, shtoi Joe Biden në një fjalim pasionant. Ky është një nga kapitujt më të tmerrshëm në historinë amerikane, këmbënguli presidenti Biden. Dhimbja e shkaktuar do të jetë gjithmonë një shenjë e rëndësishme turpi, një njollë në historinë amerikane, theksoi ai më tej.
Administrata e Joe Biden-it ka vendosur një sërë masash për të mbështetur popullsitë autoktone të Amerikës dhe për të përmirësuar marrëdhëniet e tyre me shtetin federal.