Bota

Presidenti Biden e tha sërish: Nuk largohem!

Në përpjekje për të rigjallëruar fushatën e tij elektorale, presidenti Joe Biden foli përpara një tubimi në Detroit. Një turme entuziaste, i tha se nuk do të largohej nga gara dhe paralajmëroi se ish-presidenti Donald Trump përfaqëson një rrezik serioz.

Presidenti Biden, tani në moshën 81-vjeçare, po përpiqet ta zhvendosë diskursin publik nga çështja e mprehtësisë së tij mendore, drejt ndikimit që do të kishte një presidencë e dytë Trump, ndërsa fushata e tij po has në vështirësi pas paraqitjes së dobët që bëri në debatin presidencial të 27 qershorit.

Unë po kandidoj dhe do të fitojmë! Unë jam kandidati, nuk do të shkoj gjëkundi. Ka ardhur koha që të mos e trajtojmë më politikën sikur të jetë spektakël televiziv.

Presidenti Biden paralajmëroi se “Projekti 2025”, një platformë politikash konservatore që do të përpiqej të zvogëlonte së tepërmi qeverinë federale, përbënte një “rrezik shumë real”. Teksa Biden fliste, turma mbante parulla me mbishkrimin “Mos u tërhiq!”

Më herët dje, presidenti Biden bëri një ndalesë të paparalajmëruar në një restorant, në një periferi të Detroitit, ku i deklaroi klientëve se kishte në plan ta “mbaronte punën” dhe iu drejtua me fjalët “ju premtoj… jam mirë”.

Ndërsa avioni presidencial Air Force One fluturonte drejt Detroitit, zëdhënësi i fushatës Michael Tyler iu tha gazetarëve se kontributet financiare “shpërthyen” gjatë konferencës për shtyp të presidentit Biden të enjten në mbrëmje, në shtatë herë më shumë se niveli i zakonshëm.

Po ashtu, Biden mori mbështetje më herët gjatë ditës së djeshme kur dy zyrtarë demokratë, ligjvënësi James Clyburn dhe guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom thanë se ai duhet të qëndrojë në garë. Dje pasdite, presidenti i sindikatës United Auto Workers, Shawn Fain, i cili më parë kishte thënë se ishte i shqetësuar për shanset e presidentit Biden, e lavdëroi presidentin për qëndrimin “me klasën punëtore”, pa përdorur emrin e tij.

Por, pati shenja se mbështetja po dobësohej diku tjetër, pasi dy ligjvënës të tjerë i kërkuan atij të tërhiqej nga kandidimi.

Eshtë koha për të ecur përpara me një udhëheqës të ri, tha në një deklaratë ligjvënësi Mike Levin nga Kalifornia. Si shumë të tjerë që i kanë bërë thirrje presidentit Biden të tërhiqet, Levin përballet me një betejë të fortë për t’u rizgjedhur këtë vit.

Që nga debati presidencial, të paktën 19 ligjvënës i kanë kërkuar presidentit Biden të largohet në mënyrë që Partia Demokrate të mund të zgjedhë një kandidat tjetër. Po kështu kërkuan dhe disa donatorë, yje të Hollivudit, grupe aktiviste e media.

Por, presidenti Biden vazhdon të ketë mbështetje nga zyrtarët kryesorë në parti dhe është zotuar të kandidojë në zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit.