Aktualitet Rajoni

Presidenti Begaj vizitë 2-ditore në Kosovë/Ndalesa në tri komuna!

Presidenti Bajram Begaj nisi një vizitë dyditore në Kosovë ku fillimisht bëri homazhe në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në Gllogjan ndërsa u nderua me titullin “Qytetar Nderi i Deçanit”. Begaj vlerësoi sakrificën dhe gjakun e derdhur të dëshmorëve për lirinë e Kosovës e shtoi se liria duhet të mbrohet me çdo kusht.

Eshtë kënaqësi të jem këtu në Deçan, në këtë vend të shenjtë, për të vazhduar festimet tona për 25-vjetorin e Çlirimit të Kosovës. Jemi këtu për të vlerësuar gjithë sakrificën, gjithë gjakun e derdhur për të arritur në këtë ditë të lirisë që është e jashtëzakonshme për ne dhe për shqiptarët. Prandaj, duhet ta mbrojmë me çdo kusht.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, duke i uruar mirëseardhje presidentit Begaj ka theksuar se në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në Gllogjan “pushojnë heronj të zotë, të cilat kontribuan për çlirimin e vendit”.

Në ditët më të bukura tona, presidenti i Shqipërisë me zonjën e parë, Shkëlqesia e tij, gjeneral Bajram Begaj ka vizituar Gllogjanin, Deçanin edhe një herë, pra Kosovën. Jam i nderuar të qëndroj para jush president Begaj në këtë vend këtu ku qëndrojnë e pushojnë luftëtarë të zot, shqiptarë të zot, heronj të mirë. Jam i bindur që ata janë të gëzuar që ne sot jemi bashkë.

Në një tjetër zhvillim, sot në Prishtinë gjenerali amerikan në pension, Wesley Clark, u nderua me dekoratën “Dr.Ibrahim Rugova” dhe që iu akordua nga Lidhja Demokratike e Kosovës [LDK], për rolin e ish-ushtarakut të lartë në çlirimin e Kosovës. Kujtojmë se Clark ka drejtuar fushatën ajrore të NATO-s kundër objektivave ushtarake serbe në vitin 1999. Bombardimet e Aleancës Veri-Atlantike zgjatën 11 javë dhe u kryen për të ndalur dhunën e forcave serbe kundër shqiptarëve në Kosovë.

Në fjalën e rastit, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku u shpreh se emri i Wesley Clark-ut është i ngulitur në themelet e krijimit të historisë së Kosovës ndërsa e falënderoi në lidhje me mbështetjen e ofruar ndër vite. Abdixhiku deklaroi:

Në momentet më të errëta, në synimet tona për liri, vendimet tuaja na kanë dhënë shpresë dhe forcë. Udhëheqësia juaj gjatë intervenimit të NATO-s, ka qenë pikë kthese. Ajo nuk ka ndryshuar vetëm historinë tonë, por ka shpëtuar jetë të panumërta.

Abdixhiku i kërkoi Clark-ut që të vazhdojë të ndihmojë Kosovën për forcim të mëtejshëm të lidhjeve të Kosovës me Perëndimin, sidomos me NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Vetë Clark vuri në dukje se befasohet sa herë që viziton Kosovën.

Shpresoj që do të vazhdoni t’i forconi lidhjet me Amerikën dhe ta shihni atë si mike të mrekullueshme. Ne jemi krenarë për ju, për përparimin që keni bërë e për shembullin që keni treguar.

Bombardimet e NATO-s në vitin 1999, ishin operacioni i dytë i madh luftarak i NATO-s, pas sulmeve të vitit 1995 në Bosnjë-Hercegovinë. Por, duhet theksuar se ka qenë hera e parë që në historinë e saj të atëhershme 50 vjeçare, Aleanca ka përdorur forcën ushtarake pa miratimin e shprehur të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.