Presidenti i Republikës, Bajram Begaj përkujtoi ngjarjet tragjike të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara dhe shprehet se “kjo ditë shërben gjithashtu si kujtesë për luftën e vazhdueshme kundër terrorizmit”.
Njëzet e tre vjet më parë, bota u trondit nga sulmet e paimagjinueshme që morën jetën e mijëra njerëzve të pafajshëm në SHBA. Në këtë ditë, nderojmë viktimat por edhe forcën e qëndrueshmërinë e popullit amerikan. Kërcënimi i terrorizmit nuk është zhdukur. Ai nuk njeh ngjyrë apo ideologji. Nuk duhet të harrojmë kurrë këtë.
Sot u mbushën 23 vjet nga sulmet terroriste të 11 Shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Rreth 3 mijë vetë humbën jetën në atentatet më vdekjeprurëse të kryera nga Al Kaeda. Dy avionë të rrëmbyer nga terroristët u përplasën me Kullat Binjake dhe një i tretë ra mbi Pentagon. Pasagjerët e fluturimit 93, në mënyrë heroike shmangën rrëzimin e një të katërti mbi godinën e Kongresit.
Vitin e kaluar, Shtëpia e Bardhë hodhi poshtë disa nga pikat e kërkuara nga avokatët e Khalid Sheikh Mohammed, krahut të djathtë të Osama bin Ladenit që konsiderohet arkitekti i tragjedisë dhe katër të burgosurve të tjerë në Guantanamo, të akuzuar për komplot për të sulmuar SHBA-të.
Marrëveshja e propozuar, e kritikuar ashpër nga familjet e viktimave, përfshinte një pranim fajësie dhe burgim të përjetshëm në këmbim të garancive se të pestë nuk do të vendoseshin në izolim dhe do të merrnin trajtim për traumat e vuajtura nga torturat e CIA-s.
Kur kulla jugore, pastaj ajo veriore e Qendrës Botërore të Tregtisë u shembën pas sulmit, nga zjarri, çeliku dhe pluhuri nuk u gjet asnjë gjurmë ADN-je për qindra vetë. Identifikimet vijojnë jo me shpejtësi e bëhen të mundura falë “teknologjisë së sekuencës së gjeneratës së ardhshme të miratuar së fundmi, më e ndjeshme dhe më e shpejtë se teknikat konvencionale të ADN-së” dhe e përdorur në veçanti nga ushtria amerikane.
Njerëzit vazhdojnë të vdesin në Qendrën Botërore të Tregtisë në Nju Jork pasi Departamenti i Zjarrfikësve ka shtuar emra të rinj në Murin Përkujtimor të Qendrës Botërore të Tregtisë që përkujton zjarrfikësit e prekur nga sëmundjet vdekjeprurëse që lidhen me punën e tyre humanitare në rrënojat e Kullave Binjake.