Në ditën e dytë të vizitës në Kozenca të Kalabrisë, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, u ndal edhe në “Spezzano Albanese”, ku u prit nga komuniteti arbëresh e autoritetet vendore. Presidenca njofton:
Presidenti Begaj zhvilloi një vizitë në muzeun e “Spezzano Albanese”-s, ku ruhet historia e komunitetit arbëresh. Në takimet në “Spezzano Albanese”, kryetari i kësaj komune njoftoi iniciativën e përfshirjes së gjuhës arbëreshe në shkolla, nismë që presidentit Begaj iu premtua edhe nga përfaqësues të Rajonit të Kalabrisë.
Kreu i Shtetit premtoi mbështetjen për çuarjen përpara të kësaj nisme.
Në “San Demetrio Corone”, më pas pati një takim me kryetarët e bashkive e komunave arbëreshe, në prani edhe të prefektit të Kozencës. Një pllakatë e posaçme dedikuar vizitës së Presidentit të Shqipërisë, u zbulua pranë kolegjit “Sant’Adriano”. Kreu i Shtetit nderoi Kolegjin nga i cili kanë dalë emra të njohur të botës letrare, akademike e intelektuale, si dhe atdhetarë si Luigj Gurakuqi e Aleksandër Xhuvani, krahas shumë të tjerëve me kontribut si për Shqipërinë ashtu edhe Italinë.
Presidenti Begaj vlerësoi solidaritetin e popujve të dy shteteve në çdo periudhë kritike, si edhe rolin e kalabrezëve për ruajtjen e lidhjeve me atdheun e origjinës.
Ky Kolegj ka nxitur diskutimin e temave të rëndësishme historike, që nga nevoja për liri e kombeve, te çështjet më bashkëkohore si ajo e domosdoshmërisë së bashkëjetesës ndërmjet kulturave. Kjo është një nga qendrat më të rëndësishme kulturore e arsimore në të gjithë Arbërinë italiane. Këtu u zhvillua veprimtaria e Institutit Ndërkombëtar të San Demetrios për Shqipërinë e që formësoi të rinjtë studentë nga vendi im. Mes lëndëve të tij, edhe sot sheh mësimin e gjuhës shqipe. Nga Jeronim De Rada, që jepte gjuhën shqipe e deri te Anselmo Lorecchio, i cili ndihmoi në pranimin e shumë studentëve shqiptarë në këtë Kolegj, ju jeni një nga shembujt më frymëzues të kauzës për mbrojtjen e vlerave identitare.
Në një botë ku shpesh për fat të keq, shohim ngjarje tragjike të nxitura nga ndarje ideologjike, kulturore apo fetare, vende si Kolegji “Sant’ Adriano” mund dhe duhet të promovojmë respektimin e të drejtave të njeriut dhe bashkëjetesës midis popujve dhe kulturave.
Presidenti Begaj theksoi rëndësinë që ka solidariteti për ruajtjen e marrëdhënieve Shqipëri-Itali, referuar shembujve të hapjes së dyerve për arbëreshët shekuj me parë dhe me vonë për shqiptarët që ikën nga izolimi pas rënies së regjimit.
Komuniteti arbëresh, si dhe ai shqiptar i ardhur dekadat e fundit në Itali, janë tregues i një vazhdimësie të lidhjeve të forta mes Shqipërisë e Italisë. Lidhjet e fuqishme historike, kulturore e njerëzore, duhet t’i përkthejmë edhe në një bashkëpunim më të gjerë dypalësh, me fokus në bashkëpunimin ekonomik, në sektorët e prodhimit, të tregtisë të produkteve cilësore agro-ushqimore, e padyshim në thellimin e shkëmbimeve kulturore, arsimore, sociale e më gjerë.
Presidenti Begaj nderoi me dekoratën e lartë “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” Institutin Rajonal të Komunitetit Arbëresh të Kalabrisë për kontributin që po jep për ruajtjen, mbështetjen e promovimin e gjuhës, kulturës dhe traditave arbëreshe përmes veprimeve përbashkuese të faktorëve ndikues.