Aktualitet

Presidenti Begaj në Berlin: Mora garanci për integrimin në BE!

Presidenti Bajram Begaj zhvilloi një vizitë zyrtare në Gjermani me ftesë të homologut Frank-Walter Steinmeier. Fillimisht, dy presidentët patën një takim kokë më kokë. Bashkëpunimi dypalësh, integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian, zhvillimet në rajon, zbatimi i axhendës së Procesit të Berlinit në Ballkanin Perëndimor, si dhe çështjet e sigurisë e mbrojtjes ishin në fokus të bisedës mes presidentit Begaj e homologut Steinmeier.

Presidenti Begaj falënderoi homologun gjerman për pritjen e rezevuar si një mundësi për vazhdimin e diskutimit të nisur gjatë vizitës së Presidentit Steinmeier në Tiranë në dhjetor 2022, si edhe për çështje për të cilat është arritur mbështetje dhe mirëkuptim.

Ky takim sipas Presidentit Begaj është tregues i bashkëpunimit të shkëlqyer politik midis dy vendeve, si dhe i vëmendjes së vazhdueshme të Gjermanisë mike ndaj Shqipërisë dhe popullit shqiptar. Presidenti Begaj i përcolli Presidentit Steinmeier falenderime për kontributin e tij në forcimin e marrëdhënieve dhe partneritetit mes dy vendeve aleate në NATO e që ndajnë vlera të përbashkëta europiane.

Për këtë kontribuojnë edhe shqiptarët që jetojnë dhe punojnë në Gjermani apo bizneset gjermane që janë prezente në Shqipëri, u shpreh Begaj.

Gjatë këtij takimi, Kreu i Shtetit mori mbështetjen dhe garancinë e plotë që Gjermania do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe me këtë rast i shprehu kolegut Steinmeier vlerësimin e sinqertë për mbështetjen e zëshme politike e publike, si dhe asistencën e ndihmën e ofruar në këtë drejtim.

Përsa i përket zhvillimeve në rajon presidenti Begaj u shpreh se roli e angazhimi i Gjermanisë mbetet i rëndësishëm dhe i pazëvendësueshëm në mënyrë që sfidat me të cilat po përballet Ballkani Perëndimor të mos ndikojnë apo kompromentojnë të ardhmen euroatlantike.

Në këtë kontekst me luftën në Ukrainë dhe ndikimin e aktorëve të tretë, Presidenti Shqipërisë, Bajram Begaj vlerësoi se duhet bashkëpunim i ngushtë rajonal, ku e ardhmja europiane do të jetë udhërrëfyesi për të ardhmen e përbashkët në paqe, siguri e prosperitet.

Procesi i Berlinit, sipas Begajt mbetet një mekanizëm inovativ dhe i patjetërsueshëm për forcimin e këtij bashkëpunimi, integrimin ekonomik të rajonit e po ashtu integrimin me tregun e vetëm europian, si dhe një shtysë e fuqishme për procesin e integrimit në BE.

Presidenti Bajram Begaj i rikonfirmoi Presidentit gjerman përkushtimin e plotë dhe të vazhdueshëm të Shqipërisë për këtë iniciativë dhe angazhimin e Gjermanisë.