Bota

Presidencialet në Iran, fiton reformatori Masud Pezeshkian!

Reformatori i moderuar, Masud Pezeshkian, fitoi zgjedhjet presidenciale në Iran, pasi dje mposhti në balotazh ultrakonservatorin, Saeed Jalili. Pezeshkian, kardiokirurg, fitoi 53.7% të votave, kundrejt 44.3% të Jalilit. Shifrat i dha zëdhënësi i Komisionit Qendror Zgjedhor të Iranit, Mohsen Eslami. Dalja në votim për balotazh ishte 49.8%, dukshëm më e lartë se pjesëmarrja e ulët rekord prej 40% në raundin e parë.

Ne do t’ua zgjasim të gjithëve dorën e miqësisë. Që të gjithë jemi njerëz të këtij vendi. Duhet ta përdorim secilin për përparimin e vendit tonë, tha Pezeshkian në fjalimin e parë pas fitores.

Votimi dje ishte caktuar të përfundonte në orën 18:00, por u shty tri herë, fillimisht deri në orën 20:00, më pas 22:00 e më tej deri në mesnatë. Kjo sepse autoritetet synonin të nxisnin sa më shumë njerëz të shkonin për të votuar.

Në raundin e parë nuk pati pjesëmarrje të lartë edhe pse lideri suprem, Ayatollah Ali Khamenei pati bërë thirrje të ishin të shumtë në numër, për të mbrojtur imazhin e Iranit si një vend i fuqishëm, i cili gëzon mbështetjen e popullit të tij.

Në këto zgjedhje që pasuan vdekjen në aksident ajror të Ebrahim Raisit, më 19 maj, iranianët duhej të zgjidhnin mes reformatorit e ligjvënësit veteran, Masud Pezeshkian, si dhe ish-negociatorit për çështjet bërthamore, konservatorit Saeed Jalili.

Pezeshkian ishte anëtar i Parlamentit prej vitit 2008 dhe shërbeu si nënkryetar mes viteve 2016 e 2020, kur reformatorët e të moderuarit gëzonin shumicën në legjislaturë. Pas vdekjes së 22-vjeçares, Mahsa Amini më 2022-shin në paraburgim ku mbahej për mosvendosjen si duhej të shamisë së kokës, Pezeshkian i vuri në pikëpyetje metodat e Iranit për zbatimin e detyrueshëm të hixhabit.

Pas vdekjes së Aminit, që nxiti trazira disamujore në të gjithë vendin, Pezeshkian kërkoi sqarime nga autoritetet për rastin e saj. Pasi votoi në raundin e parë, më 28 qershor, Pezeshkian u shpreh:

Ne do ta respektojmë ligjin për hixhabin, por kurrë nuk duhet të ketë sjellje çnjerëzore ndaj grave.

Pezeshkian ka folur edhe në favor të bisedimeve me Perëndimin. Por, ai mbështet parimet e Republikës Islamike dhe zotohej të ndiqte politikat e Khameneit, nëse zgjidhej president. Fitorja e Pezeshkianit nuk ka gjasa të sjellë ndryshime të mëdha politike, ndonëse mund të ketë ndikim në pasuesin e Khameneit, 85-vjeçarit, i cili është lider suprem i Iranit prej vitit 1989.