Bota

Presidencialet amerikane, ja kujt i drejtohet Obama për të mbështetur Harrisin!

Ish-presidenti amerikan, Barack Obama, sërish kritikoi pasardhësin e tij në Shtëpinë e Bardhë, Donald Trump, i cili do të kandidojë në zgjedhjet presidenciale të muajit të ardhshëm. Obama kishte një apel drejtuar burrave me ngjyrë, që të përkrahin kandidaten e demokratëve, Kamala Harris. Ai bëri fushatë në Pitsburg të Pensilvanisë, njërit prej shteteve më të pavendosur në zgjedhje.

Obama vuri në dukje se dëshiron që të flasë “disa të vërteta”, pasi dëgjoi raportime në terren se ka më pak entuziazëm për Harris-in, në krahasim me kohën kur ai vetë ka qenë kandidat dhe që “burrat me ngjyrë po mendojnë që të mos votojnë në këto zgjedhje”.

Një pjesë e imja më bën të mendoj dhe po u flas burrave direkt për t’iu thënë që nuk jeni duke e ndjerë idenë që të keni një grua si presidente, ndaj po dilni me alternativa dhe arsye të tjera.

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës u shpreh se “taktika e Trump-it për t’i ulur njerëzit, nuk është forca e tij e vërtetë”.

Po e shqyrtoni mundësinë që të rrini larg zgjedhjeve apo të mbështesni dikë që historikisht ju ka denigruar juve, sepse besoni që ajo është shenjë e forcës, sepse ashtu duhet të jetë një burrë? Duke i ulur gratë? Kjo nuk është e pranueshme.

Ish-presidenti demokrat amerikan ka nisur të vizitojë shtetet që lëkunden në qëndrimet e tyre në këto zgjedhje, teksa kanë mbetur më pak se katër javë deri te dita kryesore e votimit në fillim të nëntorit. Duke folur në Universitetin e Pitsburgut, Obama e përshkroi Trump-in si njeri jashtë realitetit, ndërsa Harrisin si “lidere që ka kaluar jetën duke luftuar në emër të njerëzve që kanë nevojë për zë dhe një mundësi”.

Kamala është e përgatitur për këtë punë.

Obama, i cili ka përfunduar mandatin presidencial tetë vjet më parë, është një prej zërave më me ndikim në Partinë Demokrate. Edhe Joe Biden pati atë ndikim te demokratët, por meqë po i jep fund mandatit, këtë nuk është përfshirë në fushatën presidenciale.

Si Harris, ashtu edhe Trump, kanë qenë shumë të zëshëm për të fituar mbështetjen e amerikanëve me ngjyrë. Një anketë e kryer së fundmi nga agjencia e lajmeve AP dhe Qendra NORC, konkludoi se 7 në 10 votues me ngjyrë kanë një qëndrim në favor të Harris-it, me disa dallime të vogla në mesin e burrave me ngjyrë dhe grave, rreth asaj se si e shohin kandidaten demokrate. Mendimet e amerikanëve me ngjyrë, lidhur me Trump-in, janë kryesisht negative, sipas anketës.