Mësohet se Elon Musk u kishte thënë investitorëve se do t’i dyfishonte ose trefishonte paratë e tyre nëse ata mbështesnin blerjen e tij prej 44 miliardë dollarësh të Twitter. Sipas mediave të huaja, në takimet me investitorët, Musk shkoi aq larg sa iu premtoi atyre pesë deri në dhjetëfishin e investimeve të tyre nëse gjithçka shkonte mirë.
Para se të bënte ofertën e tij zyrtare për të blerë Twitter, Musk tha se kishte siguruar 46.5 miliardë dollarë financim për marrëveshjen. Një dosje rregullatore e publikuar së fundmi tregoi se Musk kishte sjellë një grup mbështetësish të rinj, të cilët së bashku i shtuan ofertës së tij financimin prej 7.1 miliardë dollarësh. Musk u tha gjithashtu investitorëve se ai mund të dyfishonte bazën e përdoruesve të Twitter në më shumë se 500 milionë deri në vitin 2025.
Së fundmi miliarderi i teknologjisë ka mohuar se përpjekjet e tij për ta blerë rrjetin social Twitter janë si rezultat i bisedave me ish-Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump. Sipas medieve të huaja ky mohim vjen pas spekulimeve të përhapura se bllokimi i ish-presidentit amerikan nga platforma është pjesë e arsyes që Musk dëshiron ta kontrollojë këtë rrjet social.
Shefi i Tesla-s, nga ana tjetër ka bërë me dije se përdoruesit e biznesit dhe qeverisë në rrjetin social Twitter mund të kenë nevojë të paguajnë një tarifë të vogël për të qëndruar në këtë platformë sociale. Ky njoftim vjen pasi bordi i Twitter ra dakord për një ofertë prej 44 miliardë dollarësh nga Musk. Megjithatë, Musk tha se faqja do të jetë gjithmonë falas për përdoruesit jofitimprurës.