Pak ditë pas ndarjes nga jeta të mbretëreshës Elizabeth, e gjitha media është duke folur për sovranen më jetëgjatë në krye të monarkisë britanike. Shumë është folur për jetën por edhe për stilin e veçantë që ajo kishte. Mbretëresha i jepte shumë rëndësi dukjes së saj dhe në çdo dalje publike spikaste me veshjet në ngjyrë të ndezur, çantat e vogla të dorës, por mbi të gjitha këpucët që madhëria e saj i ka mbajtur prej më shumë së gjysmë shekulli. Ajo kishte një këpucar personale dhe madje një asistente që ia vishte asaj.
Për gati 60 vjet Elizabeth ka veshur këpucët e një kompanie britanike, Rayne, e cila kishte fituar “garancinë mbretërore” që në vitin 1936, një lloj vule aprovimi që certifikonte kompanitë që vishnin familjen mbretërore. Duke qenë se mbretëresha nuk donte të ndryshonte modelin e këpucëve, ajo vendosi të mbështetej te një këpucar artizanal me kushtin e vetëm që t’i riprodhonte njëlloj pasi ndihej shumë komode me to dhe ishte një traditë që nuk donte ta thyente.
Së fundmi po diskutohet edhe shija që mbretëresha kishte për makinat e shtrenjta. Në vitin 2002, asaj iu dhurua një limuzinë Bentley State prej 10 milionë paundësh për të shënuar Jubileun e saj të Artë dhe në atë kohë, ajo ishte makina e dytë më e shtrenjtë në botë. Ndërkaq, pas vdekjes së mbretereshës Elizabetë tanimë qentë e saj kanë një shtëpi të re, atë ku princi Andrew dhe ish-gruaja e tij Sarah Ferguson jetojnë së bashku, pranë kështjellës Windsor. Këtë e ka bërë të ditur zëdhënësi i tyre. Qentë Corgi, me gëzofin e tyre ngjyrë kafe, këmbët e shkurtra dhe veshët e mprehtë, kanë qenë me mbretëreshën që kur ajo ishte fëmijë.