Shtëpia italiane e modës “Prada” dhe kompania “Axiom Space” kanë zbuluar kostumin hapësinor që do të përdoret në misionin e NASA-s “Artemis 3” në Hënë. Kostumi, i quajtur “Axiom Extravehicular Mobility Unit” (AxEMU), u prezantua në Kongresin Ndërkombëtar Astronautik në Milano dhe kombinon funksionalitetin me estetikën e lartë.
Dizajni i kostumit është adaptuar për kushtet e ashpra në hënë, duke përballuar temperaturat ekstreme të polit jugor dhe duke funksionuar në zona të ftohta për deri në dy orë. Astronautët do të jenë në gjendje të kryejnë shëtitje në hapësirë për deri në tetë orë.
Lorenzo Bertelli, shefi i marketingut të “Prada”, shprehu krenarinë për këtë arritje dhe theksoi se ky është vetëm hapi i parë në një bashkëpunim afatgjatë me Axiom Space. Misioni Artemis 3, i cili synon të sjellë astronautët në Hënë për herë të parë që nga viti 1972, është planifikuar për vitin 2026.