Për vitin 2025, projektbuxheti i Ministrisë së Mbrojtjes parashikon një angazhim të fortë për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe sigurinë kombëtare. Buxheti total arrin në 52,685,544,000 lekë duke reflektuar një rritje të konsiderueshme në financimin e mbrojtjes, fokusuar në modernizimin e forcimin e Forcave të Armatosura.
Totali i shpenzimeve korrente shkon në 24,536,494, 000 lekë, shifër që tregon investimet në operacionet ditore dhe mbështetje për personelin ushtarak.
Totali i shpenzimeve kapitale shkon në 28,149,050,000 lekë, ndër të cilat financim i huaj janë 12,212,050,000 lekë dhe financim i brendshëm 15,937,000,000 lekë.
Investimet kapitale janë të përqendruara në përmirësimin e infrastrukturës ushtarake dhe blerjen e pajisjeve të reja.
Shpenzimet për planifikimin, menaxhimin dhe administrimin arrijnë në 1,523,300,000 lekë, ku përfshihen financimi për menaxhimin dhe organizimin e strukturave të mbrojtjes, duke siguruar efikasitet në përdorimin e burimeve.
Pr/buxheti për forcat e luftimit: 28,853,758,000 lekë, çka tregon për shpenzime të larta për forcën luftarake. Kjo kategori është kritike për ruajtjen e gatishmërisë dhe trajnimin e ushtarëve.
Për arsimin ushtarak, pr/buxheti parashikon 1,427,000,000 lekë. Në arsimimin e ushtarëve, investimi është i domosdoshëm për zhvillimin e kapaciteteve profesionale e teknike.
Për mbështetjen e luftimit, pr/buxheti parashikon 8,313,436,000 lekë, që tregon angazhimin për mbështetje operacionale e logjistike për forcat luftarake.
Sa i takon mbështetjes për Shëndetësinë, pr/buxheti parashikon 1,906,000,000 lekë, mbështetje të lartë për sigurinë shëndetësore të ushtarëve, me shërbime mjekësore e përkujdesje.
Mbështetja sociale për ushtarët parashikon një shpenzim 5,200,000,000 lekësh. Në këtë kategori, financimi është i rëndësishëm për mirëqenien sociale dhe ekonomike të ushtarëve e familjeve të tyre.
Për Emergjencat Civile, pr/buxheti parashikon 5,462,050,000 lekë duke përfshirë financimin për përballimin e situatave emergjente dhe mbështetje për sigurinë civile.
Në relacionin e pr/buxhetit për prioritetet 2025-2027 për Mbrojtjen, theksohet:
Ministria e Mbrojtjes synon të përmbushë reformat e nisura dhe realizimin e detyrave kushtetuese të Forcave të Armatosura (FA), angazhimeve ndërkombëtare në kuadër të NATO-s, angazhimeve të FA-së në kuadër rajonal e në aftësitë trajnuese të vetë FA-së.
Me këtë buxhet, Ministria e Mbrojtjes synon modernizimin e kapaciteteve dhe infrastrukturës së FA-së duke i zhvilluar kapacitetet në përputhje me Planin Afatgjatë të Zhvillimit, vijuar pajisjen e Forcave Tokësore me armatim të ri të ndërveprueshëm me aleatët në NATO, zgjeruar investimet në infrastrukturë për përmirësimin e mjediseve të punës e ushtarake dhe modernizuar pajisjet e sistemet kompjuterike.
Gjithashtu synohet vijimi i pjesëmarrjes në operacionet e NATO-s duke rritur nivelin e angazhimit të FA-së në operacionet e Aleancës dhe pjesëmarrjen në misionet e iniciativat e reja që NATO mund të ndërmarrë.
Ministria e Mbrojtjes synon zhvillimin dhe mbajtjen në gatishmëri të kapaciteteve të FA-së për operacione të mbrojtjes kombëtare e kolektive, operacione në përgjigje të krizave, si dhe kapacitetet për përballimin e Emergjencave Civile, dhënien e ndihmës vendeve të rajonit në rast emergjencash civile në kuadrin e NATO-s, OKB-së e BE-së. Në prioritetet e MM-së është edhe lartësimi i figurës e integriteti i ushtarakut.