Aktualitet

Postonin video seksuale me fëmijën 2-vjeç, pranga prindërve në Lushnjë!

Në njoftimin për arrestimet e orëve të fundit nga policia Fier, tërheq vëmendjen arrestimi i një çifti bashkëshortësh, të dy 23 vjeç. Sipas njoftimit zyrtar, ata ranë në pranga, të akuzuar se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë realizuar video me natyrë seksuale, me fëmijën e tyre vetëm 2 vjeç, pa hezituar t’i postonin në rrjetet sociale, veprim i përsëritur nga nëna dhe babai i vogëlushit. Uniformat blu nuk japin detaje të tjera.

Njoftimi zyrtar i policisë: 

Komisariati i Policisë Lushnjë ndaloi shtetasit F. K., 23 vjeç dhe S. P., 23 vjeçe (bashkëshortë), banues në Lushnjë, pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë realizuar video me natyrë seksuale, me fëmijën e tyre 2 vjeç, dhe i kanë postuar ato në rrjetet sociale.

Gjithashtu, u arrestua shtetasi A. K., 33 vjeç, banues në Lushnjë, pasi ka ushtruar dhunë ndaj babait të tij, i pajisur me urdhër mbrojtjeje.

Komisariati i Policisë Fier referoi materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:

-Sh. B., 49 vjeç, banues në lagjen “Afrim i Ri”, pasi në lokalin e tij janë gjetur dhe sekuestruar 2 celularë me faqe bastesh sportive;

-H. T., banues në fshatin Kafaraj, pasi ka goditur me grusht një shtetas, për motive të dobëta.

Po ashtu, u shpall në kërkim shtetasi D. Sh., 35 vjeç, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëjetueses së tij.

Policia Rrugore referoi materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin L. B., 57 vjeç, banues në fshatin Kallm, pasi duke drejtuar një motomjet, ka humbur kontrollin dhe si pasojë motomjeti ka dalë nga rruga. Shtetasi L. B. ndodhet në spital, për ndihmë mjekësore.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.