Bota

Portugali, miratohet ligji në favor të dekriminalizimit të eutanazisë!

Së fundmi Parlamenti i Portugalisë miratoi edhe një herë një ligj në favor të dekriminalizimit të eutanazisë, i cili u rihartua pasi u tërhoq nga Gjykata Kushtetuese. Projektligji, u miratua nga parlamenti për të katërtën herë në tre vjet, falë votave të mazhorancës socialiste. Projektligji do t’i paraqitet kreut të shtetit, një katolik i vendosur dhe ish-profesor i drejtësisë. Marcelo Rebelo de Souza do të jetë në gjendje ose ta publikojë atë ose ta kthejë për shqyrtim nga Gjykata Kushtetuese në mënyrë që ajo të verifikojë përputhjen e saj me Kushtetutën e vendit, ose të ushtrojë veton e tij.

Në projektligjin e miratuar thuhet se eutanazia lejohet vetëm në rastet kur vetëvrasja me ndihmën mjekësore është e pamundur për shkak të paaftësisë fizike të pacientit. Gjykata Kushtetuese, në të cilën kreu i shtetit apeloi, hodhi poshtë për herë të dytë një projektligj të mëparshëm në janar, duke vënë në dukje pasaktësinë e papranueshme në hartimin e tij dhe duke e kthyer atë në Parlament.

Gjykatësit kishin vendosur në mënyrë specifike se projektligji nuk përcaktonte qartë sëmundjet me intensitet të madh që mund të hapnin rrugën për një vdekje të asistuar mjekësor. Shoqata e mjekëve katolikë, nga ana e saj, shprehu kundërshtimin ndaj këtij ligji, duke konsideruar se eutanazia e asistuar nga mjekësia dhe vetëvrasja nuk janë akte mjekësore. Pas Belgjikës dhe Holandës, rreth pesë vende evropiane, si Spanja e kanë legalizuar eutanazinë deri më sot.