Aktualitet

Pornografi me të mitur, arrestohet 28 vjeçari në Tiranë!

Një 28-vjeçar është arrestuar nga policia e kryeqytetit, i akuzuar veprën penale “Pornografi me të mitur”. Uniformat blu njoftojnë se në platforma të ndryshme të rrjeteve sociale e kryesisht në rrjetin social “Instagram”, si dhe në “WhatsApp”, dyshohet se ka administruar e shpërndarë pamje sensitive në formë videoje me përmbajtje pornografike me të mitur. Vijojnë hetimet për të evidentuar të tjerë persona të përfshirë. Materialet procedurale i kaluan prokurorisë.

Njoftimi zyrtar: 

Nga ana e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, pas një pune intensive, në funksion të hetimeve të një procedimi penal, i cili ndiqej me metoda speciale të hetimit, pas analizës të interceptimeve të impulseve dhe qelizave elektronike, është bërë i mundur identifikimi dhe arrestimi i shtetasit:

E. H., 28 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Pornografia me të mitur”, parashikuar nga neni 117/2/3 i Kodit Penal.

Ky shtetas, në platforma të ndryshme të rrjeteve sociale, kryesisht në rrjetet sociale “Instagram” dhe “WhatsApp”, dyshohet se ka administruar dhe shpërndarë pamje sensitive në formë videoje me përmbajtje pornografike me të mitur.

Nga ana e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike është sekuestruar në cilësinë e provës materiale një aparat celular smartphone me të cilin është kryer kjo veprimtari, i cili do t’i nënshtrohet një ekspertimi të detajuar kibernetik.

Hetimet për këtë procedim vazhdojnë me qëllim identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.

Materialet i kaluan Prokurorisë.