Popullsia e qytetit të Tiranës pa përfshirë njësitë administrative apo ish-komunat rezultoi 389,323 banorë në Censin 2023, me ulje 7% apo (29,172) banorë më pak se të dhënat e Censit 2011, ku u numëruan 418,495 banorë. Të dhënat e detajuara të Censit 2023 për popullsinë dhe banesat në Bashkinë e Tiranës tregojnë për zhvendosje të mëdha të popullsisë nga qyteti në ish-komuna e në fshat. Pakësimi i popullsisë në kufijtë e bashkisë së qytetit ka qenë në zhvillim të kundërt me volumet e larta të ndërtimit brenda qytetit me kulla dhe komplekse pallatesh.
Banorët e kryeqytetit janë zhvendosur drejt skajeve. P.sh. popullsia e Kasharit, një ish-komunë u rrit me 106% ndërmjet dy censeve. Në vitin 2023, në Kashar rezultuan mbi 89 mijë banorë nga 43 mijë që ishin në vitin 2011. Komuna e Kasharit mori zhvillim të shpejtë në ndërtimin e objekteve për banim, por nuk ishte i mirëstudiuar, pasi nuk u shoqërua me infrastrukturën mbështetëse si shkolla e qendra shëndetësore.
Më pas, rritjen më të madhe të popullsisë e pati ish-komuna e Dajtit, popullsia e së cilës arriti në mbi 35 mijë banorë me rritje 74% nga 2011-ta. Edhe Farka shënoi rritje me 60% të popullsisë ndërmjet viteve 2011-2023, duke shënuar 36 mijë banorë aktualisht. Gjithashtu ish-komuna e Petrelës regjistroi mbi 5,700 banorë më 2023-shin, me një rritje 21% nga 2011-ta.
Në 8 ish komuna të tjera si Peza, Bërzhita, Ndroqi, Baldukshu, Zall Bastari, Krraba, Shëngjergji e Zall Herri, popullsia ka rënë me ritme dyshifrore ndërmjet dy censeve. Lëvizjet e popullsisë tregojnë se qyteti i Tiranës po bëhet gjithnjë e më i shtrenjtë, sidomos nga familjet e reja.
Në dhjetë vitet e fundit, familjet e reja kanë preferuar të blejnë prona në periferi të Tiranës por territori i qytetit të vjetër është pakësuar nga emigrimi, rënia e lindjeve dhe zhvendosja në periferi.
Të dhënat sugjerojnë se popullsia me nivel ekonomik mbi mesataren është zhvendosur nga Tirana në komplekset rezidenciale të ngritura në ish komuna teksa familjet e reja kanë preferuar të nisin jetën në periferitë, ish komunat e Dajtit dhe Kasharit pasi ishin më të përballueshme për blerjen e shtëpive.
Rritjet e çmimeve të banesave në Tiranë edhe në kushtet e rënies së popullsisë, po bëhen shkak për zhvendosje gjithnjë e më shumë të popullsisë së re ne zonat periferikë jashtë qytetit./Monitor