“Ai parking është një varrezë.” Këto janë fjalët e para të zhytësve spanjollë, të cilët arritën të hyjnë në parkingun nëntokësor të qendrës tregtare Bonaire, i cili ishte përmbytur plotësisht.
Sipas ekipeve të kërkim shpëtimit, të cituara nga gazeta eldiario.es, numri i viktimave mund të jetë i “pallogaritshëm”.
Një grua është shpëtuar pasi kishte kaluar 3 ditë e bllokuar Brenda një makine në fund të një nënkalimi në Benetússer, një nga qytetet më të goditura nga përmbytjet rreth Valencias.
Qeveria do të dërgojë sot edhe 5 mijë ushtarë dhe agjentë të forcave civile dhe policore të Gardës në zonat e Rajonit të Valencias, Castile La Mancha, Andaluzisë dhe Katalonjës që u prekën më shumë. Këtë e tha kryeministri Pedro Sanchez.
Shifra e të vdekurve sot ka shkuar në 211, dhe shumica e viktimave janë regjistruar në dhe rreth Valencias ndërsa 1900 janë ende të zhdukur.
Rreth 366 mijë banorë janë pa ujë të pijshëm dhe 50 mijë në errësirë. Vullnetarët punojnë me ekipet e shpëtimit për të pastruar rrugët dhe shtëpitë nga balta dhe rrënojat.
Mijëra persona kanë udhëtuar drejt zonave rurale për të ndihmuar në përpjekjet për pastrim të zonës ndërsa ka paralajmërime që do të ketë reshje të reja përgjatë fundjavës në atë rajon.
Qeveria federale në Madrid është përballur me kritika se nuk e ka mobilizuar ushtrinë më shpejt dhe e ka refuzuar një ofertë të Qeverisë franceze, për të dërguar 200 zjarrfikës.
Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, është zotuar se do të bëjë gjithçka që është e mundshme për t’i ndihmuar banorët e prekur nga katastrofa.
Ndryshimet klimatike besohet se janë duke kontribuar në ashpërsimin e vërshimeve.
Në një raport paraprak i agjencisë Atributi i Motit Botëror, e përbërë prej një grupi shkencëtarësh nga e gjithë bota, që analizojnë rolin e ngrohjes globale në motin ekstrem, është vlerësuar se reshjet e shiut janë 12 për qind më të ashpra sesa që kanë qenë më parë, dhe një mot i tillë ka dyfish më shumë shanse që të përsëritet.