Bota

Politika amerikane e bashkuar në dënimin e atentatit ndaj Donald Trump-it!

Ligjvënësit nga të dyja anët e politikës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, republikanë e demokratë, menjëherë dënuan atentatin me armë zjarri ndaj kandidatit të pritshëm republikan për president, Donald Trump gjatë një tubimi në Pensilvani. Trump shpëtoi pa lëndim serioze, por një person u vra dhe dy u plagosën, para se autoritetet të ekzekutonin atentatorin, një i ri 20-vjeç, i cili qëlloi nga më pak se 150 metra distancë.

Ky akt i tmerrshëm dhune politike në një tubim paqësor fushate nuk ka vend në vendin tonë dhe duhet të dënohet unanimisht dhe me forcë, – tha kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve në Kongresin Amerikan, Mike Johnson.

Senatori republikan Marco Rubio, një nga personat e përmendur si kandidat i mundshëm i Donald Trump-it për zv.president reagoi e në platformën X, duke postuar një fotografi të agjencisë AP të ish-presidentit të gjakosur, shkroi komentin “Zoti e mbrojti Presidentin Trump!”.

Edhe Senatori republikan Ted Cruz postoi foton në X, duke e quajtur reagimin e Donald Trump-it “të jashtëzakonshëm”.

Zoti e bekoftë Presidentin Trump!

Udhëheqësit demokratë të Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve dënuan menjëherë dhunën politike.

Eshtë e tmerrshme ajo që ndodhi në tubimin e zotit Trump në Pensilvani dhe jam i lehtësuar që ish-presidenti Trump është mirë. Nuk ka vend për dhunë politike në vendin tonë, vuri në dukje udhëheqësi i shumicës demokrate në Senat, Chuck Schumer në platformën X.

Udhëheqësi i demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries, shkroi në X:

Amerika është demokraci. Dhuna politike e çfarëdo lloji nuk është asnjëherë e pranueshme.

Lideri i pakicës republikane në Senat, Mitch McConnell u shpreh:

Sot, të gjithë amerikanët ndjehen të lehtësuar që Presidenti Trump duket se është mirë pas një sulmi të neveritshëm gjatë një tubimi paqësor. Dhuna nuk ka vend në politikën tonë.

Trump mori një plagë të lehtë në veshin e djathtë e pas kontrolleve paraprake u largua nga një spital i zonës. Ish-presidenti është në gjendje të mirë shëndetësore. Quhej Thomas Metju Crooks dhe ishte nga Pensilvania, 20-vjeçari, i cili qëlloi.  FBI-ja nisi hetime e tha se nuk kishte asnjë informacion për një kërcënim të mundshëm përpara atentatit. Për policinë në Pensilvani, është shumë herët për të përcaktuar nëse atentatori veproi i vetëm apo jo.