Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla njoftoi se drejtori i Administratës në Komunën e Leposaviçit, njëherazi djali i zëvendësministrit për Kthim dhe Komunitete, Nikolla Radimiroviç u arrestua dje nga policia e Serbisë dhe mësohet se u dërgua në stacionin e policisë serbe në Rashkë.
Ministri Sveçla ka reaguar me një postim në Facebook ku ndër të tjera shkruan se drejtori i Administratës në Komunën e Leposaviçit dhe e fejuara e tij e tij po mbahen të arrestuar për “arsyen e vetme se Nikolla është pjesë e institucioneve të Republikës së Kosovës”.
Drejtori i Administratës në Komunën e Leposaviqit njëherësh djali i Zëvendësministrit të Ministrisë për Kthim dhe Komunitete Nikolla Radimiroviç, është arrestuar sot nga policia e Serbisë dhe është dërguar në stacionin e policisë serbe në Rashkë. Ai së bashku me të fejuarën e tij po mbahen të arrestuar për arsyen e vetme se Nikolla është pjesë e institucioneve të Republikës së Kosovës dhe se së bashku me babain e tij në vazhdimësi i kanë rezistuar presionit të Beogradit dhe bandave të tyre.
Sipas Sveçlës, ky arrestim është i padrejtë, si dhe e konsideron si një “dëshmi të qasjes destruktive e destabilizuese të qeverisë së Serbisë” dhe “hakmarrje” pas suksesit të Kosovës të arritur e dështimit të tyre për të ndalur vendimin që Kosova të jetë mikpritëse e Lojërave Mesdhetare 2030. Zyrtari i lartë i qeverisë ka një thirrje urgjente për Beogradin zyrtar, duke kërkuar lirimin me urgjencë të drejtorit e të fejuarës së tij.
Ne kërkojmë nga Beogradi që urgjentisht të lirojë Drejtorin Radimiroviq dhe të fejuarën e tij dhe të ndalojë presionet e aktet e jashtëligjshme ndaj shtetasve të Kosovës, veçanërisht ndaj atyre të etnisë serbe të cilët janë lojal ndaj shtetit të tyre, Republikës së Kosovës, e në shërbim të të gjithë qytetarëve të saj.