Një shumë parash, tabletë, celularë dhe sende të tjera u vodhën në automjetin e dy turistëve gjermanë në Lukovë, policia e Himarës prangosi një 18 vjeçar dhe nisi procedimin në gjendje të lirë për një të mitur 13-vjeç. Gjithçka e grabitur iu kthye të zotëve, në kuadër të operacionit policor të koduar “Storm 22”.
Një shumë parash, tabletë, celularë dhe sende të tjera u vodhën në automjetin e dy turistëve gjermanë. Brenda pak orësh, Policia identifikoi dhe kapi autorët.
Një prej autorëve u vu në pranga, ndërsa autori tjetër, për shkak të moshës, po ndiqet penalisht. Policia ka sekuestruar shumën e parave dhe sendet e vjedhura dhe, në bashkëpunim me Prokurorinë, ua ka dorëzuar turistëve.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë, pas marrjes së njoftimit se në automjetin e dy turistëve të huaj, të parkuar në plazhin “Lapardha”, Lukovë, ishin vjedhur një shumë parash dhe sende personale, shkuan menjëherë në vendngjarje. Falë veprimeve të shpejta profesionale hetimore, në kuadër të operacionit policor të koduar “Storm 22”, u bë e mundur identifikimi i autorëve.
Në vijim të operacionit, u bë kapja dhe shoqërimi i autorëve të dyshuar, si dhe gjetja dhe sekuestrimi i shumës së parave dhe sendeve të vjedhura. Në përfundim të veprimeve, u bë arrestimi i njërit prej autorëve të dyshuar të vjedhjes, shtetasit F. Q., 18 vjeç, banues në Lukovë. Ndërsa për autorin tjetër, 13-vjeçarin, nisi procedimi në gjendje të lirë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë për veprime të mëtejshme. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë i kanë rikthyer shumën e parave dhe sendet e tjera të vjedhura dy turistëve gjermanë, të cilët kanë falënderuar për gatishmërinë dhe profesionalizmin e treguar për gjetjen dhe kthimin e sendeve të tyre.
Policia e Vlorës bën thirrje të gjithë qytetarëve dhe turistëve të tregojnë kujdes në ruajtjen e sendeve të tyre personale dhe me vlerë, si dhe të telefonojnë menjëherë në numrat e policisë për çdo problem.