Bota

Policia britanike përgatitet për protesta të reja antimyslimane!

Në Britaninë e Madhe, policia po përgatitet sot për trazira të reja antimyslimane. Kjo pasi grupet e ekstremit të djathtë u zotuan se do të shënjestrojnë qendrat e azilkërkuesve në mbarë vendin, duke nxitur protestuesit antifashistë të paralajmërojnë kundërprotesta.

Britania po përballet me një valë të dhunës që shpërtheu javën e kaluar, pasi tre vajza të vogla u vranë gjatë një sulmi me thikë në veriperëndim të vendit duke nxitur një valë të dezinformatave online lidhur me identitetin e sulmuesit të dyshuar. Në internet, ky i fundit u portretizua si emigrant mysliman.

Kryeministri britanik, Keir Starmer, paralajmëroi protestuesit se do të përballen me dënime të gjata ndërsa ai po tenton të ndalë valën më të keqe të dhunës që Britania e Madhe ka përjetuar në 13 vitet e fundit.

Detyra jonë e parë është që të sigurohemi që komunitetet tona të jenë të sigurta, u shpreh shefi i qeverisë së Londrës gjatë një daljeje televizive. Ata do të jenë të sigurt dhe ne do të bëjmë gjithçka, që të sigurohemi që policia të ketë përgjigjen e duhur, shtoi kryeministri laburist Keir Starmer, i cili fitoi zgjedhjet e parakohshme parlamentare të muajit të kaluar.

Në qyteza dhe qytete, grupe prej qindra protestuesish janë përleshur me policinë e kanë thyer dritare të hoteleve që strehojnë azilkërkuesit nga vendet e Afrikës e të Lindjes së Mesme, duke brohoritur thirrje si “Largohuni!” dhe “Ndalni anijet!”, një referencë kjo për zbarkimin në Britani të emigrantëve përmes anijeve të vogla.

Po ashtu, ata kanë sulmuar me gurë xhamitë, duke terrorizuar komunitetet lokale, përfshirë minoritetet etnike. Grupet antifashiste dhe kundër racizmit kanë paralajmëruar se do të organizojnë kundërprotesta në mbarë vendin.

Qeveria ka mobilizuar 6 mijë efektivë policorë, të specializuar për menaxhimin e trazirave, për t’u përballur me shpërthimin e akteve të dhunës. Kryeministri Stramer është zotuar se të gjithë ata që po shkaktojnë trazira, po plaçkisin dyqane e po djegin makina, nuk ka dyshime se do të përballen me drejtësinë.

Ai ka thënë se më shumë se 400 persona janë arrestuar, kundrejt 100 protestuesve u ngritën aktakuza dhe shumë shpejt, për ta pritet që të nisin proceset gjyqësore.