Botë e Çuditshme Tech

Policia britanike me një mjet të AI që mund të zgjidhë rastet më të vjetra dhe më famëkeqe të vendit!

Disa nga rastet më famëkeqe mund të zgjidhen me ndihmën e një mjeti të Inteligjencës Artificiale. Sipas mediave britanike, Policia e Avon dhe Somerset po testojnë teknologjinë e cila mund të identifikojë të dhëna të mundshme që mund të mos jenë gjetur gjatë një procesi manual të provave. Siç bëhet e ditur, mjeti Soze i zhvilluar në Australi mund të analizojë pamjet video, transaksionet financiare, mediat sociale, emailet dhe dokumentet e tjera në të njëjtën kohë.

Një vlerësim tregoi se ai ishte në gjendje të rishikonte materialin provues në 27 raste komplekse në vetëm 30 orë, gjë që vlerësohet se për ta bërë një njeri do t’i duhej deri në 81 vjet. Gavin Stephens, kryetar i Këshillit Kombëtar të Shefave të Policisë, ka thënë se teknologjia mund të përdoret për të ndihmuar në mbylljen e disa prej rasteve më të vjetra dhe më famëkeqe të pazgjidhura të vendit. “Unë mund ta imagjinoj këtë lloj gjëje të jetë vërtet e dobishme për shqyrtimet e rasteve të pazgjidhura”-u tha ai gazetarëve. Stephens bëri të ditur se mjeti Soze është një nga dhjetëra programet novatore që së shpejti mund të shpërndahen në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar.

Por ai tha se AI dhe teknologji të tjera si njohja e fytyrës dhe procedurat e automatizimit robotik nuk janë zëvendësim për policinë, me një oficer që duhet përfshirë në vendimet përfundimtare. “Kjo nuk është dorëzim i përgjegjësive tona tek teknologjia, por ajo që teknologjia po na ndihmon të bëjmë më mirë”-ka thënë Stephens.

Kompanitë e mëdha të teknologjisë si Google po vënë bast se teknologjia e AI do t’i ndihmojë ata të fitojnë miliarda. A po shkojmë drejt një të ardhmeje ku të gjithë fitojnë, apo një të ardhme ku të pasurit bëhen më të pasur dhe të varfrit mbeten siç kanë qenë? Në këtë drejtim, CEO i Google, Sundar Pichai mendon se po shkojmë drejt një bote më të mirë dhe më të barabartë. Në Samitin e së Ardhmes ku liderët botërorë u mblodhën në selinë e OKB-së në Nju Jork për të diskutuar mbi AI dhe tema të tjera, Pichai foli për përfitimet e AI. Ai artikuloi katër fusha kyçe ku AI mund të çojë përpara qëllimet e zhvillimit të qëndrueshëm të OKB-së.