Bota

Policia amerikane shmang atentatin e tretë ndaj Trump-it!

“Ne ndoshta shmangëm atentatin e tretë ndaj Donald Trump“-it. Kështu deklaroi Chad Bianco, sherifi i kontesë Rivierside, mbi arrestimin e një personi të armatosur brenda perimetrit ku mbante tubimin manjati. I pyetur nga gazetarët në lidhje me orientimin e të ndalurit në mitingun e kandidatit republikan për president në Coachella të Kalifornisë, sherifi Chad Bianco u shpreh:

Grupi ku ai bënte pjesë është i ekstremit të djathtë. Njerëz që nuk besojnë në qeveri, njerëz që jetojnë me imagjinata. Por nuk është kjo çështje, ai është një i çmendur, nuk ka rëndësi se kujt partie i përket.

Me vete mbante një kartë anëtarësie të një grupi të quajtur “Qytetarët sovranë”, siç deklaroi policia e qarkut Riverside, duke saktësuar se “FBI-ja dhe shërbimi sekret po bashkëpunojnë në hetim”.

Personi që u arrestua u paraqit si gazetar. Targa e automjetit të tij ishte false dhe kishte me vete disa pasaporta.

Arrestimi i tij u bë para se Trump të mbërrinte në takimin elektoral. Në pranga ra 49 vjeçari i identifikuar si Vem Miller. Dy zyrtarë federalë i thanë CNN-it se aktualisht nuk ka prova që sugjerojnë se personi i arrestuar për zotërim të armëve të zjarrit pranë tubimit të Donald Trump-it, të shtunën në Kaliforni do të tentonte të vriste ish-presidentin e Shteteve të Bashkuara.

Në një deklaratë të përbashkët me FBI-në dhe Departamentin e Drejtësisë, Shërbimi Sekret Amerikan tha se “ish-presidenti Trump nuk ishte në rrezik” në tubim. Personi, për të cilin autoritetet vunë në dukje se zotëronte ilegalisht një armë gjahu, një pistoletë të mbushur dhe një karikator me kapacitet të lartë, fitoi akses në një perimetër fillestar pranë tubimit në Coachella. Kjo sipas saktësimit më të fundit nga sherifi i Riverside-it, Chad Bianco.

Pasi personi i identifikuar nga sherifi si 49 vjeçari Vem Miller nga Las Vegasi kaloi në perimetrin e dytë, autoritetet u ndërgjegjësuan për disa “parregullsi”, siç bëri të ditur Bianco. Pjesa e brendshme e makinës ishte e rrëmujë, mjeti nuk rezultonte i regjistruar dhe mbante targa false.