Në portretin e tij zyrtar mbreti Charles III shfaqet i veshur me uniformën e një admirali të flotës, me medalje dhe me dorën në shpatë. Fotografia e sovranit në këmbë është bërë në Kështjellën Windsor nga fotografi Hugo Burnand. Megjithatë, në Mbretërinë e Bashkuar kanë shpërthyer polemikat, sepse portreti kushtoi 8 milionë paund nga qeveria.
“Tetë milionë paund për këtë? Çfarë humbje e turpshme parash”, akuzojnë aktivistët e “Republic”. Lideri i sindikatës së mësuesve, Daniel Kebede, komentoi me ironi mbi iniciativën: “Pikon çatia? Lagështia hyn nga korniza e dritares së plasaritur? Ajo që i duhet shkollës suaj është imazhi i mbretit Charles i printuar në letër me cilësi të lartë”. Përkundër kësaj, zëvendëskryeministri Oliver Dowden vlerësoi foton: “Të tregosh atë do të na kujtojë shembullin që jep Madhëria e Tij në shërbimin ndaj komunitetit.”
Disa kohë më parë, Zyra e Kabinetit njoftoi se kishte lënë mënjanë fonde për t’u ofruar të gjitha organeve publike, autoriteteve lokale, gjykatave, shkollave dhe forcave të policisë, një portret falas të mbretit Charles III si pjesë e një programi për monarkun e ri. Në çdo rast, shkollat dhe mijëra zyra të tjera publike nuk janë të detyruara ta ekspozojnë atë dhe mund ta kërkojnë pa pagesë brenda datës 2 shkurt në formatin A3.
Rikujtojmë, se Buckingham Palace është në kërkim të një operatori të ri telefonik. Detyra e tij është t’u përgjigjet 4000 telefonatave të marra çdo javë në rezidencën mbretërore. Kjo është jo më pak se 208,000 thirrje në vit. Në një deklaratë, të raportuar nga Daily Mail, operatori duhet të punojë në pallat 38 orë në javë dhe paguhet 26,000£ në vit, 9,000£ më shumë se paga minimale angleze.