Aktualitet

Pogradec, një grua e lënduar nga shpërthimi i bombolës së gazit/Dëme të shumta!

Shpërthen bombola e gazit në një banesë në Pogradec, lëndohet një grua e moshuar, e cila u dërgua për ndihmë mjekësore të specializuar në spital. Ngjarja në katin e dytë të një pallati ndodhi sot, në qendër të qytetit juglindor, në zonën e quajtur “Agjensia”, në lagjen nr.5. Në vendngjarje shkoi një mjet zjarrfikës dhe policia po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave.

Në njoftimin e policisë thuhet: 

Rreth orës 10:30, në lagjen nr.5 Pogradec, në banesën e shtetases E.P., 71 vjeçe, dyshohet se ka shpërthyer një bombël gazi. Si pasojë e shpërthimit është dëmtuar 71-vjeçarja, e cila aktualisht po merr mjekim në spitalin e Pogradecit, jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.

Fqinjët treguan se u alarmuan e se menduan për tërmet nga forca e madhe e shpërthimit.

Shpërthim sikur ra tërmet nga zhurma. Thamë u shemb ndonjë mur. I kemi shtëpitë afër.

Për pasojë, dritarja e banesës u shkul e përfundoi në rrugë. Edhe muri i pallatit pësoi krisje. Fatmirësisht nga rënia e dritares nuk pati persona të lënduar edhe pse zona në fjalë është shumë e populluar, me lëvizje të shumta në orarin e këtij shpërthimi.