Aktualitet Bota Tech

Po kontrollojnë tregun dixhital, rregullatorët evropianë nisin hetim kundër Apple, Google dhe Meta!

Rregullatorët evropianë kanë nisur hetimet kundër kompanive Apple, Google dhe Meta të hënën.

Ky është rasti i parë i hetimeve në përputhje me ligjin e ri, që hyri në fuqi këtë muaj, i cili ka për qëllim të mos i lejojë kompanitë e mëdha të teknologjisë ta kontrollojnë tregun digjital.

Komisioni Evropian tha se po i heton këto kompani për “mosbindje” ndaj Aktit të Tregjeve Dixhitale (ATD).

Akti i Tregjeve Digjitale është një ligj i gjerë i cili i ka në shënjestër kompanitë e mëdha të teknologjisë që ofrojnë “shërbime të platformës kryesore” duke i detyruar ato t’u përmbahen një sërë rregullash se çfarë duhet të bëjnë dhe çfarë jo. Nëse nuk i përmbahen ligjit, ato rrezikojnë ndëshkime të ashpra financiare, e madje edhe me mbylljen e bizneseve.

Rregullat kanë për qëllim t’i bëjnë tregjet digjitale “më të drejta” dhe “më të kontestueshme”, duke i prishur ekosistemet e mbyllura teknologjike të cilat i detyrojnë klientët të përdorin produkte apo shërbime të një kompanie të vetme.

Rregullatorët po hetojnë nëse Google dhe Apple po u përmbahen plotësisht rregullave të ATD-së, të cilat kërkojnë që këto kompani t’i lejojnë zhvilluesit e aplikacioneve t’i drejtojnë përdoruesit kah ofertat në dispozicion jashtë dyqaneve të tyre të aplikacioneve.

Komisioni Evropian tha se ndihet i shqetësuar se këto dy kompani janë duke vendosur “kufizime të ndryshme”, përfshirë pagesa që ua parandalojnë aplikacioneve promovimin e ofertave falas.

Google përballet me kritika se nuk po u përmbahet rregullave të ATD-së, të cilat u ndalojnë kompanive gjigante t’i bëjnë preferenca shërbimeve të veta karshi atyre rivalëve.

Komisioni tha se është duke e hetuar kompaninë Apple gjithashtu për të parë nëse ajo po bën mjaftueshëm për t’i lejuar përdoruesit e iPhone t’i ndryshojnë me lehtësi ueb-brouserat.

Ndërkohë, Meta po hetohet për një opsion i cili u mundëson përdoruesve të paguajnë një shumë mujore për versione pa reklama të Facebook dhe Instagram, në mënyrë që ta shmangin përdorimin e të dhënave personale kur targetohen me reklama online.–REL–