Prej 13 vitesh ata janë të martuar me njëri tjetrin dhe megjithatë ndjehen të dashuruar si në ditën e parë. Ish-zonja e parë e Francës dhe njëkohësisht ish-modelja e njohur Carla Bruni gjatë një interviste të dhënë së fundmi për ‘Sunday Times’ me rastin e fushatës së saj publicitare për shtëpinë e modës Balmain, është shprehur me superlativa për të shoqin, ish-presidentin e Francës Nicolas Sarkozy i cili po kalon një periudhë të vëshirë, pas shpalljes fajtor për akuzën për financim të paligjshëm gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2012.
Ajo ndërkaq u shpreh se:
Im shoq është një tip super alfa. Dëshiron të ketë gjithçka në kontroll dhe të drejtojë. U bë president sepse ka këtë temperament dhe nuk ka nevojë për një shtet për ta bërë, e bën gjithsesi.
Megjthatë pas këtij burri autoritar, sipas Brunit qëndron një shpirt i butë dhe i dashur.
Nicolas është gjithashtu burri më i embël dhe më i sjellshëm në botë dhe mbi të gjitha është shumë seksi. Ne nuk zihemi kurrë, sepse jemi të dy shumë të fortë dhe i shohim gjërat në aspektin pozitiv.
Rikujtojmë se Carla Bruni dhe Nicolas Sarkozy u takuan gjatë një darke në 2007 dhe në vitin 2008 e kurorëzuan dashurinë e tyre në martesë. Tre muaj më pas erdhi në jetë vajza e tyre Giulia. Bruni ka dhe një djalë 21-vjeçar nga një lidhje e mëparshme, ndërsa Sarkozi ka tre fëmijë.
Para një viti Nicolas Sarkozy u dënua me një vit heqje lirie, por pa shkuar në burg. Ish-presidenti francez, u shpall fajtor për financim të paligjshëm të fushatës së tij presidenciale të vitit 2012. Dënimi u lidh me faturat false, në rastin e ashtuquajtur “Bygmalion”. Ish-shefi i Elizesë, i cili nuk ishte i pranishëm në Gjykatën Penale të Parisit, në momentin e dhënies së vendimit, i duhej të mbante byzylykun elektronik. Sarkozy, i cili i mohoi me forcë akuzat, e apeloi vendimin.