Aktualitet

“Plumbi i Artë” në Elbasan, Tiranë Durrës/SPAK-u zbardh disa vrasje!

Megaoperacioni i koduar “Plumbi i Artë 2” e që po zhvillohet sot në vend ka çuar në zbardhjen e gjashtë vrasjeve, tre prej tyre në Elbasan, Rrogozhinë dhe Berat. Me kërkesë të SPAK-ut, GJKKO-ja lëshoi disa urdhër-arreste, ku mes tyre ka masa sigurie për dy oficerë policie, si dhe për numrin dy të Burgut të Bradasheshit, Martin Musaj.

Detajet ende nuk janë të plota e pritet të zbardhen me kalimin e orëve, por deri tani, mësohet se u vendos në “Arrest shtëpie” ish-gjyqtarja Pajtime Fetahu, e shkarkuar nga vetting-u, e cila ka gjykuar grupet kriminale në Elbasan.

Agustin Çinari, shefi i Krimeve në Durrës u arrestua, me masë sigurie “Arrest me burg”. Operacioni i nisur mbi dy vjet më parë, në muajin maj të vitit 2022 çoi në goditjen e 8 grupeve të dyshuara të krimit e pasoi prangosjen në Fier të të shumëkërkuarit Nuredin Dumani, në kuadër të një tjetër operacioni. Mes emrave me masa arresti rezultojnë edhe personi i njohur si “Dari i Elbasanit”, si dhe Talo Çela.

Disa nga masat e sigurisë të firmosura nga Prokuroria e Posaçme janë për shtetasit:

Talo Çela, Altin Kamami, Rexhino Doçi, Arben Lamçja, Arsen Mema, Eljo Bitri, Leam Rragami, Elvis Daka alias Dragoviç, Dorjan Dyli, Matilda Hoxholli, Denada Todi, Flobenc Meçja, Armis Stafa, Maksim Koçi, Erzen Çopja, Franc Çopja, Hajdar Bako alias Çopja, Mikael Qosja, Martin Musaj, Guri Biba, Pajtime Fetahu, Renato Masuku, Leonardo Rragami.

Kush është “Dari i Elbasanit”

Ndërkaq, emri i Hajdar Bakos, i njohur dhe si “Dari i Elbasanit”, nuk është i njohur vetëm për këtë përplasje të dhunshme. Emri i Bakos, doli edhe në dosjen e të pandehurit, Nuredin Dumani. Hajdar Bako shfaqej si një nga porositësit për eliminimin fizik të rivalëve të tij në dosjen e Nuredin Dumanit.

Nga dosja hetimore rezultonte se Dumani, ka dëshmuar se grupi i Erjon Alibejt alias Agim Shurbi me pseudonimin “Krymi” dhe grupi i Hajdor Bakos alias (Çopja), i thirrur shkurtimisht “Dari”, janë vënë në garë për të eliminuar njëri-tjetrin. Vetë Dumani atë kohë pranoi para SPAK-ut se kishte mbajtur kontakte me dy grupet rivale në Elbasan, atë të Erjon Alibejt dhe Hajdar Bakos.

…Arjan Spahiu, i cili mbeti i vrarë në Belgjikë, ka qenë në listë për t’u ekzekutuar nga vëllezërit Çopja, të cilët janë financuesit. Talo Çela, më ka thënë mua që nëse kryeja vrasjen e Arjan Spahisë do më jepte 300 mijë euro….