Aktualitet

Plotësohen 100 kuota për pranim në Akademinë e Sigurisë!

100 kuota për pranim në Akademinë e Sigurisë janë plotësuar pas një konkurrimi të hapur dhe transparent, siç njoftoi sot Policia e Shtetit. Gjatë muajve korrik dhe gusht 2024 u zhvillua procesi i konkurrimit dhe regjistrimit të aplikantëve për ndjekjen e programit të studimit “Siguria dhe Hetimi”, cikli i parë “Bachelor”, për vitin akademik 2024-2025, në Akademinë e Sigurisë.

Procesi i konkurrimit u hap për 150 kuota të lira, nga të cilat 100 kuota për shtetasit që kanë përfunduar arsimin e mesëm të lartë, 50 kuota për punonjësit e rolit bazë, pjesë e strukturave të Policisë së Shtetit.

Hapja e fazës së konkurrimeve për 100 vende ishte e dedikuar për shtetasit, të cilët sapo kanë përfunduar arsimin e mesëm të lartë dhe aplikimi u realizua vetëm nëpërmjet portalit U-Albania. Kjo ishte një risi për Policinë e Shtetit, pasi prej mëse 18 vitesh procesi i pranimit të kësaj kategorie ka qenë i mbyllur, për shkak të ndryshimit të procesit të arsimit policor.

Gjatë këtij viti, procesi i pranimit në Akademinë e Sigurisë ka qenë i gjatë dhe ka kaluar nëpërmjet sensibilizimit të të rinjve në të gjitha rrethet e Shqipërisë.

Gjatë procesit të aplikimit në portalin U-Albania rezultoi se kanë përzgjedhur programin e studimit “Siguria dhe hetimi”, 1156 aplikantë.

Në fazën e regjistrimit paraprak janë paraqitur në Akademinë e Sigurisë 193 prej tyre.

Aplikantët, sipas procedurave standarde, iu nënshtruan procesit të testit fizik, intervistës dhe testit psikologjik, ku morën pjesë 186 aplikantë.

Të gjithë aplikantët, pas përfundimit të procesit të testimit, u verifikuan për t’u siguruar që ata apo të afërm të tyre nuk janë të implikuar në veprimtari kriminale, si një detyrim ligjor për pranim në Policinë e Shtetit. Ky proces u zhvillua nga strukturat vendore të policisë ku aplikanti ka vendbanimin dhe në përfundim të tij u skualifikuan 16 aplikantë.

Sipas afatit të përcaktuar nga Ministria e Arsimit, më datën 29.08.2024, Komisioni i Pranimit shpalli në portalin U-Albania dhe në faqen zyrtare të Policisë së Shtetit, listën paraprake të rezultateve sipas rendit zbritës, duke përdorur si element identifikimi vetëm ID-në e tyre të maturës, ku u kualifikuan 144 aplikantë, ndërkohë që u skualifikuan 49 aplikantë (193 ishin regjistrimet paraprake, pika 2).

Aplikantët ushtruan të drejtën e ankimimit. Komisioni i Pranimit, pas përfundimit të procesit të ankimimit, kualifikoi 165 aplikantë, të cilët kaluan me sukses fazat e testimit, verifikimit e kontrollit dhe bëri rishpalljen e listës së re të rezultateve në portalin U-Albania dhe në faqen zyrtare të Policisë së Shtetit.

Më datën 30.08.2024 ka filluar procesi i regjistrimit përfundimtar të aplikantëve dhe në fazën e parë të regjistrimit në datat 30-31 Gusht 2024, u bë plotësimi i kuotave, duke regjistruar 100 aplikantë në rend zbritës, të cilët kanë rezultuar fitues në të gjitha fazat. Vetëm 2 aplikantë nuk u paraqiten nga aplikantët e renditur në numrin rendor 1-100 e për pasojë regjistrimi vazhdoi me aplikantët e renditur në numrin rendor 101 dhe 102.

Procesi i pranimit në Policinë e Shtetit zhvillohet për herë të parë nëpërmjet sistemit U-Albania dhe është një sukses që dëshmon rritjen e besueshmërisë së qytetarëve te  Policia e Shtetit.