Alban Skënderaj vjen këtë javë në listë me këngën e tij titulluar “Sikur Ta Dija”. Një këngë e cila i përshtatet mjaft mirë rrymës së tij të veçantë muzikore. Ai ka lajmëruar se në 20-vjetorin e karrierës së tij në industri, do të vijë me album të ri. Gjithashtu, artisti ka realizuar kolonën zanore të filmit “5 Herë Jo”.
Fifi edhe pse është konkurrente në spektaklin e “Dancing With The Stars” nuk e ka lënë pas dore karrierën e saj si artiste. Ajo ka publikuar këngën më të fundit, titulluar “Nale”, ku në videoklip shfaqet duke ndërthurur një koreografi, teksa performon me partnerin e kërcimit, Gracianon.
Ylli Limani këtë herë vjen me një bashkëpunim ndërkombëtar. Artisti ka lançuar projektin më të ri muzikor së bashku me këngëtarin grek, Sidarta. Titullohet “Spiti” dhe është një këngë mjaft e ndjerë, e cila përcjell mesazhin e ndarjes prej tradhëtisë.
Kantautori i mirënjohur, Pirro Çako do të publikojë së shpejti projektin e tij më të ri, “Triptik”. “Shpirt” është kënga që riktheu atë pas 4 vitesh mungesë në tregun muzikor. Ai është shprehur se në fakt ka patur 5 këngë gati, por vendosi që të publikojë 3 prej tyre pasi personifikojnë atë në këtë moment të jetës së tij.
Powered by The Top List © / Top Awards ©