Aktualitet

Plas skandali në TKOB, jepen mbi 18 milionë lekë për një logo të vjedhur nga sitet pa pagesë

Në muajin janar të vitit të kaluar, Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit (TKOB) shpalli konkursin e hapur me anë një thirrjeje publike për krijimin e një logoje të re për këtë institucion.

Pas një vitit, artisti i arteve pamore, Ardian Isufi ka bërë një denoncim ku shfaq logon e re krejtësisht plagjiaturë për të cilën TKOB kishte parashikuar një fond prej më shumë se 18 milionë lekësh të vjetra.

Sipas Isufit, kjo është një vjedhje ndërsa thekson se logoja e TKOB është marrë në një faqe në internet pa asnjë pagesë. Konkursi që pritej të përfundonte më 24 shkurt të vitit 2020-të, e publikuar në faqen zyrtare të TKOB, nuk jepte asnjë informacion mbi kriteret apo afatin e krijimit dhe prezantimit të kësaj logoje nga konkurrentët pjesëmarrës.

Logoja e re që Ardian Isufi thotë se është gjetur nga faqja freepik.com në të vërtetë kushton 10 dollarë dhe është vendosur në uebsaitin e Teatrit në muajin dhjetor 2020. Lidhur me këtë denoncim të bërë nga artisti Isufi, nuk ka asnjë reagim nga Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit.