Bota

Plani i Ukrainës për t’i dhënë fund pushtimit rus, merr mbështetjen franceze!

Kryediplomati francez, Jean-Noel Barrot zotohet që Franca të mbështesë planin e Ukrainës për t’i dhënë fund luftës rreth 3 vjeçare me Rusinë. Sot në Kiev tha se do të punojë me zyrtarë ukrainas për të siguruar mbështetjen e vendeve të tjera rreth tij. Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky e shpalosi para liderëve perëndimorë “Planin e fitores” së Kievit, përmes të cilit shpreson ta detyrojë Rusinë t’i japë fund pushtimit të Ukrainës nëpërmjet bisedimeve.

Ky plan është duke u shqyrtuar nga partnerët perëndimorë të Ukrainës, mbështetja e të cilëve ka qenë jetike në përpjekjet e Kievit për t’i bërë ballë fqinjit të madh. Një pikë kyçe është kërkesa për ftesë formale për Ukrainën, për t’u bërë anëtare e NATO-s. Mbështetësit perëndimorë kanë ngurruar ta shqyrtojnë, pa përfunduar lufta.

Një fitore e Rusisë do të ishte përulje para ligjit të të fortit dhe do ta shtynte rendin ndërkombëtar drejt kaosit, tha Barrot në një konferencë të përbashkët shtypi me homologun ukrainas, Andrii Sybiha. Kjo është arsyeja pse shkëmbimet tona duhet të na mundësojnë të shënojmë përparim në “Planin e fitores” së presidentit Zelensky dhe të bindim sa shumë vende ta mbështesin.

Që kur nisi pushtimi, në shkurt 2022, Franca ka qenë një nga mbështetëset më të fuqishme ushtarake, diplomatike dhe ekonomike të Ukrainës në Europë. Aktualisht po stërvit e pajis një brigadë të re ushtarësh ukrainas për dislokim në vijën e parë të frontit.

Presidenti francez, Emmanuel Macron ka bërë thirrje për ndryshim të politikës nga aleatët perëndimorë të Ukrainës, çka mund të ndryshojë natyrën e luftës, duke lejuar Kievin të godasë bazat ushtarake brenda Rusisë me armë të sofistikuara e me rreze të gjatë veprimi, të siguruara nga partnerët perëndimorë, çka përfshijnë edhe raketat nga Franca.

Armët me rreze të gjatë veprimi janë pjesë kyçe e planit të Zelensky-t me pesë pika, por deri tani, aleatët e Kievit kanë ngurruar t’i japin dritën jeshile.

Barrot njoftoi se Franca do ta kryejë dërgesën e parë të avionëve luftarakë “Mirage 2000” në Ukrainë, në tre muajt e parë të vitit 2025. Pilotët dhe mekanikët ukrainas janë stërvitur për t’i drejtuar dhe mirëmbajtur.

Duke i bërë ballë pushtuesit me guxim të jashtëzakonshëm, ju nuk po luftoni vetëm për integritetin territorial të Ukrainës, por gjithashtu po mbani një vijë të frontit që ndan Europën nga Rusia e Vladimir Putinit, që ndan lirinë nga shtypja.