Bota

“Plani i Fitores”, pritet prezantimi në parlament nga presidenti Zelensky!

Në parlamentin ukrainas, presidenti Volodymyr Zelensky do të paraqesë strategjinë e re për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Javët e fundit, kryetari i shtetit vizitoi kryeqytetet perëndimore, përfshirë Uashingtonin, Londrën, Parisin, Romën dhe Berlinin, pikërisht për të prezantuar planin. Bazuar në deklaratat e mëparshme, një ftesë për Ukrainën, për t’u anëtarësuar në NATO është pjesë e strategjisë së Zelensky-t teksa Moska kundërshton.

Ukraina po kërkon të jetë në gjendje të përdorë armë perëndimore me rreze të gjatë veprimi në objektiva thellë brenda Rusisë, me qëllim që të sjellë luftën në shoqërinë ruse më me forcë. Mbrojtja ajrore më e mirë është gjithashtu në listën e dëshirave të presidentit dhe kërkesa që dronët rusë të rrëzohen nga territori polak e ai rumun.

Një natë më parë, Rusia ndërmori një tjetër sulm me dronë ndaj Kievit.

“Qëndroni në strehimore”, shkroi kryebashkiaku Vitali Klitschko në aplikacionin e mesazheve Telegram. Ai tha se dronët po fluturonin drejt lagjes së madhe Troieshchyna, në periferi të Kievit.

Në rrjetin Telegram, Serhiy Popko, shefi i administratës ushtarake të Kievit u shpreh se njësitë e mbrojtjes ajrore u angazhuan në zmbrapsjen e sulmit. Deri në publikimin e lajmit nuk ka patur të dhëna për dëme apo lëndime nga sulmi rus me dronë. Alarmi për sulme ajrore ruse u dha për Kievin, si edhe për rajonet përreth e gjysmën lindore të Ukrainës.

Ndërkohë, dronët ukrainas ndërmorën një seri sulmesh një ditë më parë në rajonin kufitar jugor Belgorod të Rusisë, duke shkaktuar tetë të plagosur e dëmtuar automjete dhe prona, siç dhe bëri të ditur guvernatori rajonal, Vyacheslav Gladkov.

Guvernatori Gladkov shtoi në aplikacionin e mesazheve Telegram se një dron goditi një autobus në lëvizje në fshatin Oktyabrsky, në afërsi të kufirit me Ukrainën, duke plagosur tetë persona, përfshirë edhe katër të mitur.

Ai vuri në dukje se sulmet me dronë vazhduan gjatë mbrëmjes duke goditur objekte tregtare dhe infrastrukturën në dy fshatra të tjerë pranë kufirit. Nuk ka njoftime për të lënduar.

Për disa muaj me radhë, forcat ukrainase kanë goditur objektiva brenda kufirit rus, ndërsa në muajin gusht ndërmorën një inkursion masiv në rajonin e Kurskut, duke marrë zona të mëdha të territorit. Zyrtarët në Moskë thanë se ushtria ruse kishte rimarrë disa fshatra në rajon.