Aktualitet

Plagosja me thikë në Gjirokastër, pranga autorit!

Ndodhet në gjendje kritike për jetën, i riu i plagosur mbrëmjen e djeshme në Gjirokastër. Uniformat blu bëjnë të ditur se shtetasi Ledion Haska, 21 vjeç u godit me mjet prerës në lagjen Kodra e Shtufit e për shkak të plagëve të rënda u dërgua me urgjencë në Spitalin e Traumës në Tiranë.

Për veprën penale të plagosjes me dashje, policia arrestoi në flagrancë një 29 vjeçar. Mes dy të rinjve pati një konflikt çasti për motive të dobëta dhe autori i dyshuar e qëlloi me thikë të plagosurin.

Njoftimi i Policisë së Gjirokastër:

Në vijim të informacionit paraprak të dhënë mbrëmjen e djeshme, për ngjarjen e ndodhur në lagjen ‘Kodra e Shtufit’, ju informojmë se specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Gjirokastër arrestuan në flagrancë për veprën penale ‘Plagosja e rëndë me dashje’, shtetasin L.Dh., 29 vjeç, banues në Gjirokastër, pasi gjatë një konflikti të çastit për motive të dobëta, ka goditur me mjet prerës (thikë), shtetasin L. H., 21 vjeç, banues në lagjen ‘Kodra e Shtufit’, i cili aktualisht ndodhet në spitalin e Traumës, Tiranë, në gjendje të rëndë shëndetësore. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua mjeti prerës (thikë).